Kompensimi, deputetët kërkojnë shpjegim
Fondi për pronarët
Deputetët nuk janë të qartë se kur pronarët do të përfitojnë nga fondi i përcaktuar prej qeverisë shqiptare sipas projektligjit të ri dhe kanë kërkuar shpjegime nga qeveria shqiptare nëse këto para do të lëvrohen nga buxheti i shtetit apo nga buxheti faktik. Kjo do të thotë se paratë do të nisin të ndahen menjëherë apo në shtator. Buxheti i shtetit përmban parashikimin e të ardhurave që do të vilen nga tatimet, doganat etj., ndërsa buxheti faktik përmban të ardhurat reale që janë futur në arkën e shtetit. Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka kërkuar një shpjegim nga Ministria e Financave në lidhje me projektligjin për fondin special të kompensimit të pronave. Debati më i madh është zhvilluar për nenin 3 të këtij projektligji, nenin 4 dhe nenin 8. Neni 3 flet për burimin e të ardhurave, ndërsa 4-a për administrimin e tij. Sipas draftit, kompensimi në lekë për ish-pronarët do të realizohet nga qeveria me skemën me këste dhe jo njëherësh. Projektligji “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, i paraqitur për shqyrtim në Kuvend, vendos që ndryshe nga herët e tjera ish-pronarët nuk do të kompensohen financiarisht menjëherë, por mbi bazën e afateve të ndryshme kohore. Do të jetë Ministria e Financave që do të përcaktojë afatet dhe modalitetet. Por deputetët kanë kërkuar shpjegim për mënyrën dhe kohën e kompensimit.
#