Emigrantët, kaos në kufirin grek
GJIROKASTER/ KORÇE
Një ditë para Krishtlindjeve shënohet fluksi më i madh për këtë vit i emigrantëve në kufirin grek. Mbi 19 mijë persona kaluan dje në pikat doganore të Kakavijës dhe Kapshticës. Sipas autoriteteve doganore, ashtu sikurse tashmë është bërë "traditë" nga pala greke, numri i sporteleve për përpunimin e shtetasve ishte i kufizuar, duke sjellë kaos dhe radhë. Në anën greke, radha e emigrantëve shqiptarë arriti gjer në katër kilometra, ndërsa pritet që në vazhdim, fluksi të pësojë ende rritje. Emigrantët shprehen të revoltuar karshi kësaj situate në doganë, e cila sipas tyre është bërë një rutinë e tmerrshme e përvitshme.
KAKAVIJE
Dyndja e emigrantëve për të kaluar festat e fundvitit në atdhe shkaktoi konfuzion dhe stres te personat që pritën me orë të tëra për të kaluar kufirin. Radha e automjeteve në pjesën greke të Kakavijës arriti në 3 kilometra. Autoritetet helene, ndonëse zyrtarisht kishin njoftuar policinë kufitare të Kakavijës se po punohej me gjashtë sportele, vetëm dy prej tyre ishin në punë. Kjo është vërtetuar nga emigrantët, të cilët u shprehën të revoltuar me ngadalësinë në veprime të sportelistëve grekë. Ata u detyruan të përballojnë temperaturat e ulëta për disa orë, ndonëse kishin në mjetet e tyre edhe fëmijë. Në orët e para të mëngjesit e deri në mesditë, në Kakavijë radha e automjeteve shënoi kulmin. Mjaft emigrantë u kthyen mbrapsht duke parë gjendjen kaotike në kufi. Prej orës 01:00 të së mërkurës e deri në orët e vona të pasdites, përmes Kakavijës, kanë kaluar mbi 14 mijë shtetas. Ndërkohë që fluksi i automjeteve që qarkullonin përmes aksit nacional Kakavijë - Gjirokastër ishte i madh. Policia rrugore ka ngritur disa postblloqe për të disiplinuar lëvizjet e mjeteve që vijnë nga shteti helen.
KAPSHTICE
E njëjta situatë vijoi dje edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Ardhja masive e emigrantëve e ka detyruar palën shqiptare të shtojë deri në dhjetë numrin e sporteleve, për të përballuar situatën. Por ndërkohë, pala greke e ka shtuar vetëm në katër numrin e sporteleve, të cilat gjithsesi nuk e përballuan dot fluksin e personave. Kjo shkaktoi kaos në radhë. Mësohet se në anën greke arriti deri në katër kilometra vargu i automjeteve, të cilat prisnin të futeshin në tokën shqiptare. Autoritetet policore shqiptare bënë të ditur se mbi 1700 autovetura u futën në doganë gjatë 24 orëve të fundit. Sipas burimeve doganore, dita e mërkurë ka shënuar edhe fluksin më të madh gjatë këtij muaji. Vetëm gjatë natës erdhën mbi 5 mijë emigrantë, ndërsa gjatë ditës së djeshme ky fluks u dyfishua. Kështu në 24 orët e fundit, sipas shifrave zyrtare, në vendin tonë u futën 15 mijë persona. Sipas drejtuesve të policisë, numri i emigrantëve të mbërritur me rastin e festave të Krishtlindjeve është sa dyfishi i fundvitit të kaluar.