"Nelaj, mjeku i zhdukur në arrest shtëpie"
TIRANE - Gjykata e Lartë riktheu dje masën e sigurimit "arrest shtëpie" ndaj mjekut Ardian Nelaj, të arrestuar për akuzën e korrupsionit. Vendimi i është dhënë dje rreth mesditës ndërsa arsyetimi i tij pritet të bëhet publik më pas. Sipas vendimit të djeshëm, ish-kirurgu i Spitalit të Burgjeve, që ra në pranga teksa punonte në QSUT, ku zhvillonte operacione kirurgjikale, duhet të qëndrojë në "arrest shtëpie" deri në përfundim të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij nga Prokuroria e Tiranës. Zbatimi i vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë duket në dilemë, për shkak se dy javë më parë Gjykata e Apelit ka vendosur masën e arrestit me burg ndaj kirurgut të dyshuar, i cili nuk u gjet në shtëpinë e tij në momentin që policia shkoi për të ekzekutuar vendimin e dhënë nga Shkalla e Dytë. Gjykata e Apelit vendosi të rikthente në qeli mjekun e akuzuar, pasi Gjykata e Tiranës kishte vendosur, tri ditë pas kapjes së tij, lënien në masën e sigurimit "arrest shtëpie". Por pavarësisht se u zhduk menjëherë pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit, mjeku Nelaj e ka kundërshtuar këtë vendim në Gjykatën e Lartë. Vendimi i dhënë dje nga kjo e fundit është kundërshtuar fuqimisht nga prokuroria, e cila pohon se vepra penale për të cilën akuzohet paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore.