E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Si pastroi paratë Damir Fazlliç"

 

Damir Fazlliç, biznesmeni serbo-boshnjak i përfolur kohët e fundit në Shqipëri, mendohet se ka kryer pastrim parash në Shqipëri. Dyshimi ka ardhur nga organi i akuzës i kryeqytetit, institucion i cili ka nisur një hetim për këtë çështje, ndërsa gjithçka është bërë publike gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Tiranës, ku prokurorët e çështjes paraqitën dokumente, sipas të cilave Fazlliç ka blerë dy prona në Durrës dhe Porto Romano në vlerën e 1.7 milionë eurove, ndërkohë sipas hetimeve të dyja kompanitë "Crown Acquisition" dhe "Alfa" nuk zotërojnë asnjë kapital, veç 100 mijë lekëve kapital fillestar për regjistrim. Sipërfaqja e tokës e blerë nga Fazlliç llogaritet në rreth dy hektarë. Organi i akuzës pohoi gjithashtu se gjatë hetimeve ishte zbuluar një trasfertë e konsiderueshme e Damir Fazlliç nga bankat shqiptare drejt një banke në Zyrih, çka ka përforcuar dyshimet e prokurorisë për pastrim parash. Prokurori Besnik Cani, pasi dorëzoi dokumentet e siguruara nga hetimi, pohoi në seancë se Fazlliç ka transferuar nëpërmjet një kompanie serbo-boshnjake në një bankë në Zyrih shumat e 1.5 milionë eurove dhe 450 mijë euro, pak kohë para se të nisnin hetimet.
Po kështu, prokurorët pohuan se të gjitha pagesat që ka kryer në territorin shqiptar Fazlliç i ka bërë me veprime "cash", ose e thënë ndryshe me para në dorë, ndërsa vetë lëvizte me avion "çarter". Po kështu origjina e parave mendohet se është Qipro dhe pastaj kanë kaluar përmes Shqipërisë. Duke shtuar si argument shtesë edhe një dokument tjetër, prokurorët e çështjes deklaruan në seancën e djeshme gjyqësore se pronari i kompanisë serbe të energjisë Rudnap, Lazareviç figuron aksioner në kompaninë "Altarie reserach limited", ku Damir Fazlliç është administrator i përgjithshëm. Prokurorët, të pyetur nga gjykata për faktin nëse kanë gjetur apo jo fakte të tjera për të vazhduar hetimet në ngarkim të Fazlliç dhe pse kanë sekuestruar pronat e tij, prokurorët e çështjes janë përgjigjur se fillimisht akuzat i kanë hedhur mediat dhe më pas janë kryer verifikime. Pas kësaj ka qenë e domosdoshme bllokimi i pronave, në mënyrë që të mos tjetërsohen. Ndërkohë pritet që gjatë kësaj kohe prokurorët të dërgojnë letër-porosi tek autoritetet e drejtësisë në Qipro për të marrë informacione rreth firmës së përfshirë në transferimin e 1.7 milionë eurove në Shqipëri. Në fund të seancës së djeshme, gjykatësi Artan Broci i kërkoi prokurorëve të çështjes të paraqesin në proces të gjithë dokumentet që zotërojnë në hetimin në ngarkim të Fazlliç. Kjo për të provuar nëse pretendimet e tyre për vendosjen e sekuestros janë të ligjshme. Po kështu seancën e datës 30 dhjetor pritet që të shpallet edhe vendimi për këtë çështje, pasi palëve u është kërkuar që të përgatiten për të paraqitur në gjykatë pretendimet përfundimtare.            fa.ma.

Lëvizja e parave

Blerja e dy hektarëve tokë në Durrës dhe Porto Romano është bërë me 1.7 milionë euro në emër të "Crown Acquisition" dhe "Alfa", kapitali i të cilave ka qenë vetëm nga 100 mijë lekë.

Shuma 1.7 milionë euro dyshohet se është transferuar nga Qipro.

Nëpërmjet një kompanie serbo-boshnjake janë transferuar në një bankë në Zyrih, shumat e 1.5 milionë euro dhe 450 mijë euro.

Prokuroria
Prokurori Besnik Cani pohoi dje se Damir Fazlliç dyshohet se ka pastruar para në Shqipëri. Sipas tij, paratë janë transferuar nga Qipro në Tiranë nëpërmjet rrugëve bankare dhe me to është bërë blerja e dy hektarëve tokë në zonën e Durrësit. Blerja është bërë në emër të dy kompanive "Crown Acquisition" dhe "Alfa", ndërsa nuk është dokumentuar aspak në llogarinë e tyre. Veç 100 mijë lekëve të reja, kapital fillestar të regjistrimit të kompanive, nëpër llogaritë e dy kompanive nuk janë pasqyruar veprime të tjera. Po kështu e dyshimtë mbetet edhe origjina e parave që kanë ardhur nga Qipro. Tashmë prokuroria ka nisur verifikimet, ndërsa pritet që gjithçka të zbardhet pas letërporosisë që do të niset atje.

Hetimi
Njësia Task-Force ka marrë në pyetje 15 persona në cilësinë e dëshmitarëve, të cilët i kanë shitur tokë në Porto-Romano biznesmenit Damir Fazlliç. Organi i akuzës ka mbledhur dëshmi lidhur me procedurat e ndjekura për blerjen e tokës nga biznesmeni kroat që po hetohet për akuzën e "pastrimit të parave". Dëshmitarët kanë pohuar se shitjet janë bërë gjatë kontakteve që ata kanë pasur me personat që Fazlliç kishte zgjedhur ta përfaqësonin në marrëdhëniet dhe aktivitetin e tij të biznesit në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Deklarimet e dhëna nga personat që kanë shitur tokën janë administruar nga Prokuroria në dosje si prova materiale. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›