E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e bllokuara të ish-ushtarakëve, Bode premton marrjen sipas ligjit



Ervin KOÇI

Ish-ushtarakët do t’i marrin pensionet e prapambetura dhe shtesat në bazë të ligjit të ri “Për pensionet e ish-ushtarakëve”. Këtë e ka deklaruar disa ditë më parë Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë një interviste dhënë për një televizion lokal në Tiranë. Sipas kreut të Financave, “ish-ushtarakët janë duke u paguar. Ka një ligj i cili është disponibël dhe me ç’di unë janë në momentet e fundit për të bërë ato ndryshime që solli ligji i fundit”. Ministri i Financave mohoi në të njëjtën kohë edhe pretendimet që ngrihen se këto pensione për këtë kategori të veçantë janë bllokuar. Sipas Bodes, “Nuk është se pensionet e ushtarakëve janë bllokuar, por janë duke u paguar. Të gjithë detyrimet që rrjedhin në bazë të ligjit do t’i marrin, do t’i përfitojnë”. Ministri i Financave ka shtuar më tej në lidhje me pensionet se, në të gjitha kategoritë janë rreth 450 mijë pensionistë që përfitojnë nga shtesat e reja që qeveria do të realizojë më 1 korrik. Sipas tij në këtë kategori do të jenë pa dyshim edhe ish-ushtarakët. Po ashtu, janë kategoritë e tjera, rreth 120 mijë që lidhen me këtë politikë, e që kanë të bëjnë me grupet e asistencave dhe të pensioneve të veçanta që japim për paraplegjik, të paaftë etj. Nga rritja e pensioneve do të përfitojnë edhe pensionistët e fshatit, të cilat qeveria i konsideron si të ulëta sepse kanë një bazë më të vogël dhe për pasojë mund të përfitojnë më shumë.

Ish-ushtarakët
Përfitimet financiare që ish-ushtarakët kanë fituar nga ligjet e mëparshme, por edhe me vendime të formës së prerë të gjykatave, do të mbeten në fuqi. Për rrjedhojë, të gjithë ata ushtarakë që kanë përfituar një masë të caktuar pensioni me ligjin e vjetër, ose nëpërmjet vendimeve të gjykatave, do të marrin të njëjtin përfitim, pa u cenuar nga masa e pensionit që përcakton ligji i ri, i cili vendos një pension më të ulët se ligjet e mëparshme. Kjo ka qenë edhe një ndër kërkesat kryesore që drejtuesit e ushtarakëve kanë kërkuar të zbatohet nga qeveria, një e drejtë kjo e mohuar që prej vitit 1999, që tashmë atyre ua ka njohur Gjykata Kushtetuese. Mosnjohja e të drejtave të fituara më parë ishte një ndër arsyet pse Shoqata e ish-Ushtarakëve iu drejtua në fund të vitit 2009 Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të Ligjit Nr. 10142, i cili, ndër të tjera, në nenin 29 kërkon ndryshimin dhe moszbatimin e vendimeve të gjykatave të formës së prerë, gjë që i jep ligjit edhe fuqi prapavepruese, duke bërë që mjaft procese gjyqësore të ushtarakëve për të drejtën e tyre pensionit, të ndërpriten duke u hequr ushtrimin e së drejtës së tyre pranë organeve gjyqësore.

Fondi i pensioneve
I gjithë fondi i parashikuar nga qeveria për rritjen e pagave dhe pensioneve për gjashtëmujorin e këtij viti është diku te 5 miliardë lekë. Këtë gjë e ka deklaruar kreu i Financave, Bode, sipas të cilit në kushtet e një viti të plotë kjo shifër është rreth 10% dhe që transpozohet në vitet që vijnë, se pëson rritje mbi këtë bazë. Kjo shifër sipas tij, “pëson rritje të tjera, që transpozohet pas 3 vitesh në një rritje prej 14 miliardë lekë, nëse përdorim skenarin më optimist. Ne do ta shikojmë për të bërë rritjen më të arsyeshme që edhe të bëjmë rritjen e pagave dhe pensioneve dhe të ruajmë në maksimum stabilitetin dhe raportet midis aktiviteteve të ndryshme që ka qeveria”. Për sa i takon pensionistëve, rritja reale për ta duket se do të jetë nga 5-10%, në varësi të nivelit të pensionit që kanë. Kjo gjë sipas ministrit Bode, do të bëhet duke u mbështetur dhe duke rritur pensionet më të ulëta dhe më të diskriminuara që janë ato të fshatit dhe pensionet e ulëta në qytet. “Rritja nga 5- 10% nuk pritet të jetë e prerë, do të jetë në fasha në ndryshme që do të shikohen kategoritë respektove”,- ka deklaruar Bode.

Rritja e pagave dhe pensioneve, si do bëhet

“Rritja e pagave dhe pensioneve është një strategji konstante e qeverisë, e përdorur në mandatin e parë 4-vjeçar dhe që do të vijojë sipas programit të sajë dhe në këtë mandat për të mbështetur një rritje të lartë të pagave dhe pensioneve”. Kështu ka deklaruar Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë një interviste ku ka sqaruar se kjo politikë bëhet për disa arsye. Sipas tij, “në janar të këtij viti kemi ngrirë rreth 30 miliardë lekë shpenzime publike për të mundësuar një bazament më të fortë të ekonomisë së vendit për të mundësuar një stabilitet më të madh makroekonomik për vendin, për të mos lejuar deformime dhe denatyrime të tilla në stabilitetin tonë në makroekonomi që do të ishin me pasoja në perspektive. Në këtë ngrirje, ne nuk përfshijmë ngrirjet, nuk ngrijmë dhe nuk lamë jashtë vëmendjes për të zbatuar politika aktive, rritjen e pagave dhe pensioneve, pra atë fund të programuar ne e kemi disponibël për ta përdorur për rritjen e pagave dhe pensioneve”.

19 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›