E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, partitë e vogla nuk shlyejnë dot as qiranë



Laureta Rryçi

Kriza ekonomike duket se ka prekur edhe partitë e vogla në Tiranë. Partia Balli Kombëtar dhe Partia Konservatore rrezikojnë të mbeten pa godinë për shkak të mospagesës së qirasë. Burime zyrtare nga Gjykata e Faktit të Tiranës pohuan dje se vetëm dy ditë më parë Ndërmarrja Industriale Nr.1 në kryeqytet ka paditur dy subjektet politike për shkelje të kontratës së qirasë. Paditë deri tani kanë kaluar vetëm procedurën e shortit elektronik që përcakton gjyqtarin civil që do t’i gjykojë ato.
Paditë
Sipas padive, Partia e Ballit dhe ajo Konservatore kanë probleme prej kohësh me shlyerjen e qirasë. Ato rezultojnë të jenë debitore ndaj Ndërmarrjes Industriale, pronare për dy godinat që aktualisht vazhdojnë të jenë në përdorim të partive. Për Partinë Balli Kombëtar detyrimi është çdo muaj me 60 mijë lekë duke bërë përllogaritjen nga 1 janari i vitit 2007 deri në ditët e sotme.
Kërkesa vijon edhe më tej, duke kërkuar pagimin e interesave përkatëse bankare për gjithë periudhën si dhe të lirojë ambientet (zyra) ose partia të lidhë kontratën e qirasë sipas Kodit Civil.
Për Partinë Konservatore në padi thuhet se kërkohet detyrimi i palës së paditur të paguajë qiranë për vitet duke filluar nga data 1 janar 2007 e deri në ekzekutimin e vendimit të gjykatës duke paguar njëkohësisht interesat përkatëse bankare për gjithë periudhën, si dhe të lirojë ambientet (zyra) ose detyrim alternativ të lidhë kontratën qirasë sipas Kodit Civil.
Proceset
Pasi dy gjyqtarët të njihen me paditë përkatëse, pritet të përcaktohen edhe datat për nisjen e proceseve civile. Përfaqësuesit e subjekteve politike duhet të argumentojnë arsyet përse nuk i kanë shlyer në kohë detyrimet e kontratës së qirasë. Por jo vetëm kaq, pasi kanë për të shlyer dhe pagesat, vetëm pas këtij momenti, nëse duan, mund të vazhdojnë të mbajnë të njëjtat godina për aktivitetin e tyre politik. Procese të tilla civile për shkelje të kontratës së qirasë ka me dhjetëra në Gjykatën e Tiranës, veçse këto dy padi janë të parat që përfshijnë subjektet politike.

boc
Të dhëna për padinë e parë
Paditësit: dërmarrja Industriale Nr.1
Të paditurit: Partia e Ballit Kombëtar të Shqipërisë
Lloji i Çështjes: Padi kontratë qiraje (Neni 801-849)
Baza Ligjore: Neni 801 - 849
Objekti: Detyrimin e palës së paditur të paguajë qiranë për vitet në vlerën 60 000 lekë për çdo muaj duke filluar nga data 1 janar 2007 e deri në ekzekutimin e vendimit të gjykatës duke paguar njëkohësisht interesat përkatëse bankare për gjithë periudhën, si dhe të lirojë ambientet (zyra) ose detyrim alternativ, të lidhë kontratën e qirasë sipas Kodit Civil
Statusi i dosjes: Gjykim
Gjyqtari: Ervin Pollozhani

Të dhëna për padinë e dytë
Nr. i Çështjes: 10490
Dt. e regjistrimit: 17.06.2010
Paditësit: Ndërmarrja Industriale Nr.1
Të paditurit: Partia Konservatore e Shqipërisë
Lloji i Çështjes: Padi kontratë qiraje (Neni 801-849)
Baza Ligjore: Neni 801 - 849
Objekti: Detyrimin e palës së paditur të paguajë qiranë për vitet duke filluar nga data 1 janar 2007 e deri në ekzekutimin e vendimit të gjykatës duke paguar njëkohësisht interesat përkatëse bankare për gjithë periudhën, si dhe të lirojë ambientet (zyra) ose detyrim alternativ, të lidhë kontratë qiraje sipas Kodit Civil
Statusi i dosjes: Gjykim
Gjyqtari: Fatri Islamaj

Arrestohet anëtari i bandës së Zani Çaushit
TIRANË - Arrestohet i dënuari me 5 vite burg gjatë procesit ndaj bandës së Zani Çaushit. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se kanë vënë në pranga Skerdian Bajramin 33 vjeç. “Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5 Tiranë, në bashkëpunim me Forcat e Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë u arrestua i kërkuari Skerdian Bajrami, 33 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Kamzë, Tiranë”, - thanë burimet zyrtare nga Policia e kryeqytetit. Sipas tyre, ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 2 shkurt 2009, e ka dënuar me 5 vjet burgim në procesin gjyqësor ndaj bandës së Myrteza Çaushit, i njohur ndryshme si Zani. I shumëkërkuari Skerdian Bajrami, anëtar i kësaj bande, ka qenë i akuzuar për një sërë krimesh të rënda të kryera nga kjo bandë e armatosur. Ndërkohë, përveç ekzekutimit të vendimit të mësipërm, në ngarkim të shtetasit Skerdian Bajrami policia ka dërguar materiale shtesë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë si një nga personat që ka kryer veprime aktive në bllokimin e rrugës në vendin e quajtur Ura e Farkës në Tiranë dhe në kundërshtim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ndërhynë për hapjen e rrugës së datës 11 maj 2010.

Gjykata lë në qeli dy pjesëtarët e grupit “OTR”
Gjykata e Tiranës la dje në qeli dy vëllezërit pjesëtarë të grupit “OTR”. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje se edhe pse nuk e kanë pranuar akuzën, sërish gjykata pranoi versionin e Prokurorisë mbi ngjarjen. Të njëjtat burime sqaruan se dy vëllezërit janë shprehur se kanë qenë shumë larg sherrit dhe se po mbahen në mënyrë të padrejtë në qeli. Bexhet dhe Rigers Kruda u rikthyen sërish në qelitë e paraburgimit pas masës së sigurisë “arrest me burg”. Ata janë pjesëtarë të grupit muzikor “OTR”, të drejtuar nga Rigels Rajku, i njohur me emrin e tij të artit Noizy. Mbi dy vëllezërit rëndon akuza për plagosjen e Denis Dollapajt. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 28 prill të këtij viti në Tiranë. Në sherrin e parë me armë, ku u plagos 19-vjeçari Dollapi, u përfshinë fansat e dy grupeve muzikore, “OTR”, drejtuar nga Rigels Rajku ose Noizy dhe grupit “TBA”, drejtuar nga Arkimed Lusha, i njohur si Stresi. Denis Dollapi u plagos në një lokal pranë Rrugës së Barrikadave, jo shumë larg shkollës së mesme "Sami Frashëri". Sipas Policisë së Tiranës, të rinjtë janë konfliktuar me fjalë para se të përdornin thikën, fillimisht pranë shkollës së mesme, duke qenë se prej kohësh janë në rivalitet me njëri- tjetrin, ndërsa nuk kanë munguar as fyerjet dhe kërcënimet në internet dhe në Facebook mes palëve. Në këngët e tyre shihen qartë tekstet që flasin për grupin rival, madje në një emision televiziv një pjesëtarët e grupit “TBA” kërcënoi Rigels Rajkun. Pas përplasjes pranë shkollës sherri u spostua disa metra më larg, në rrugën "Bardhok Biba", ku ndodhi plagosja e Denis Dollapit.

19 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›