Gjykata “pastron” Ylli Pangon, gjobë 400 mijë euro për Top Channel-in
Gjykata e Tiranës “pastron” figurën e Ylli Pangos duke e ndëshkuar me një gjobë prej 400 mijë eurosh Top Channel-in për publikimin e videos “seksuale” në emisionin “Fiks fare”, që solli shkarkimin e ministrit Pango në mënyrë të rrufeshme nga kreu i qeverisë, zoti Sali Berisha. Vendimi është dhënë dje nga gjyqtari Agim Bendo në mungesë të palës së paditur. Trupi gjykues e konsideroi të drejtë padinë nga ish-ministri Pango për dëmshpërblim, ndonëse akti i bërë prej tij, i treguar edhe në imazhet e videos, u dënua nga i gjithë opinioni publik, përfshirë edhe pjesëtarët e maxhorancës ku bënte pjesë edhe ish-ministri i Kulturës. Ky skandal është përmendur edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare. Vendimi i djeshëm është konsideruar nga vetë Top Media si “ndëshkim për gazetarinë investigative”.
Vendimi
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas disa seancash mes ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango dhe përfaqësuesve të emisionit investigativ, vendosi t’i japë fund duke dhënë vendimin në favor të ish-ministrit. Gjyqtari Agim Bendo i dha të drejtë Pangos duke e shpërblyer edhe me një shumë prej 400 mijë eurosh. Sipas Gjykatës, emisioni nuk ka të drejtë t’i japë më ato imazhe dhe përmes vendimit kërkohet që kjo media të paguajë shumën e vendosur si dëmshpërblim. Sipas vendimit të Gjykatës, gazetarët nuk kanë të drejtë të futen në shtëpinë e asnjë individi, qoftë ky edhe ministër, duke i shkelur jetën private. Po kështu, gjyqtari Bendo tha se ndaj Pangos janë shkelur të gjitha të drejtat kur e kanë cenuar pas shfaqjes së imazheve private të filmuara në shtëpinë e tij. Kjo video, tha gjykata, me vendim, është e paligjshme dhe në këto kushte nuk duhej të shfaqej publikisht. Vendimi i djeshëm u dha pa praninë e përfaqësuesve të palës së paditur.
Por, sipas Top Channel-it, “pavarësisht profilit investigativ të emisionit ‘Fiks fare’, gjykatësi Agim Bendo shkoi më tej dhe paragjykoi filmimet që, sipas tij, duhet të ishin marrë në dijeni të Ylli Pangos, sepse ai shfaqet në këto filmime në çaste private, me pizhame”.
Ndërkohë që e pranishme në sallën e gjyqit ka qenë vetëm pala mbrojtës e Ylli Pangos. Avokatja e Pangos i tha gjykatës se informacioni i dhënë kundër tij në një emision investigativ është i pavërtetë dhe tendencioz. Ajo shtoi se e gjithë ajo skenë ka pasur si qëllim denigrimin e imazhit të tij, ndërkohë që pas shfaqjes së tyre i janë shkaktuar probleme të pafundme, deri te heqja e titujve shkencorë. Përtej faktit se është shkelur privatësia e një qytetari, gjykata duket se nuk e ka marrë në konsideratë faktin se zoti Pango ishte një person publik dhe ai akuzohej për qoftë edhe një akuzë të vetme “shpërdorim detyre”. Publikimi i kësaj videoje u shoqërua me shkarkimin e menjëhershëm të ministrit të Kulturës nga kryeministri Berisha. Pas kësaj nisën hetimet nga prokuroria, e cila e liroi nga akuzat për shpërdorim detyre ish-ministrin Pango. Më pas, zoti Pango bëri padi në Gjykatë për Top Channel-in, duke e kallëzuar për shkelje të jetës së tij private.
Vendimi i djeshëm bie ndesh me reagimin e ashpër të të gjithë opinionit publik, drejtuesve të institucioneve, subjekteve politike, përfshirë edhe forcën politike ku zoti Pango bënte pjesë. Sapo u shfaq videoja në “Top Channel”, kryeministri Berisha e shkarkoi në mënyrë urgjente. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Topalli, i bëri thirrje publikisht zotit Pango që të lëshojë mandatin e deputetit, duke u shprehur se “është ndjerë e tmerruar nga ajo që ka ndodhur me një ministër”. Madje, zonja Topalli e konsideroi Pangon si një tradhtar të qytetarëve shqiptarë që e kanë votuar”. I gjithë opinioni publik, organizatat joqeveritare, por edhe institucionet ndërkombëtare, e kanë dënuar gjestin e ish-ministrit Pango dhe e kanë konsideruar si shpërdorim detyre dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Videoja
“Skandali seksual i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango”. Kështu u cilësua nga të gjithë publikimi i një videoje ku jepeshin në emisionin investigativ "Fiks fare", imazhe ku ministri Pango i ka kërkuar favore seksuale një vajze të re, e cila kishte aplikuar për një vend pune në dikasterin me titullar Pangon. Madje ai e ka ftuar në banesë vajzën, e cila ka qenë një e njohura e tij e dikurshme. Biseda e plotë mes vajzës së "Fiksit" dhe ministrit tregon "angazhimin" e plotë të këtij të fundit për të shtënë në dorë vajzën. Në bisedat e regjistruara dukej qartë se si ish-ministri, tashmë i shkarkuar, i shpjegon dhjetëra detaje vajzës për t'i treguar se ku e ka zyrën e një "Instituti" që ai e kishte zgjedhur si vend takimi. Më pas kamera e fshehtë zhvendoset në vilën trekatëshe të ministrit të Kulturës, Ylli Pango, pranë Qytetit Studenti, ku ministri është vetëm për vetëm me vajzën, ndaj së cilës ai nis të bëjë ngacmimet seksuale, që nisin me zbërthimin e këmishës. Pas qëndresës së vajzës, ministri detyrohet ta shtyjë takimin për një ditë tjetër, pa ia arritur qëllimit të tij. Pas publikimit të videos, prokuroria nisi hetimet, por pas disa muajsh, ajo doli me vendim, duke hequr nga çdo lloj akuze për “shpërdorim detyre” për zotin Pango. Pikërisht, pas këtij vendimi, protagonisti i videos skandaloze depozitoi padinë në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar dëmshpërblim. Vendimi i djeshëm i trupit gjykues ka zhveshur çdo lloj përgjegjësi që zoti Pango kishte si ministër dhe deputetet, duke e trajtuar si qytetar të zakonshëm, ndonëse gjesti i tij u ndëshkuar publikisht nga të gjithë.
19 Qershor 2010