E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtaraku: Ministria anashkaloi Shtabin për përcaktimin e Gërdecit



Seanca e radhës në procesin e Gërdecit duket se shërbeu më tepër për të rindezur konfliktin mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Dëshmitari i radhës, i thirrur nga Akuza, Sokrat Papadhima, përforcoi faktin se Ministria e Mbrojtjes anashkaloi ushtarakët në përcaktimin e vendndodhjes së fabrikës së demontimit. Ish-ushtaraku, që kishte pasur rol drejtues në sektorin e armatimit në radhët e ushtrisë, shpjegoi para gjykatës se askush nuk u kujtua t’u merrte mendim nëse duhej të demontohej municion kaq pranë shtëpive të banimit.
Dëshmia
Në seancën e djeshme të Gërdecit ka dëshmuar ish-shefi i sektorit të armatimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të forcave të Armatosura, Sokrat Papadhima. Sipas dëshmisë së tij, “nuk është marrë mendimi i shtabit për fabrikën e ngritur të Gërdecit”. Papadhima sqaron se Shtabi nuk ka pasur dijeni për vendin e demontimit si dhe për vendndodhjen e kësaj fabrike. Gjatë dëshmisë së tij Papadhima ka nënvizuar se “Ministria e Mbrojtjes e ka anashkaluar Shtabin për ngritjen e fabrikës së demontimit”. Dëshmia e tij pritet të jetë kyçe për hetimin në lidhje me zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit.
Tragjedia
Dosja që po gjykohet në Gjykatën e Tiranës ka plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe tre drejtues të fabrikës së demontimit të armëve janë të vetmit në arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit. Vetëm 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku demontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara. Procesi është në fazën e dëshmitarëve të thirrur nga akuza, dhe prej disa seancash në listën janë vetëm ish-ushtarakë që po shpjegojnë momentet kyçe nga përcaktimi i vendndodhjes së fabrikës e deri te momenti i shpërthimit.

19 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›