E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët me zanate mirëpriten në Evropë

Zanatçinjtë dhe personat
shumë të kualifikuar në
një profesion kanë mundësi
më të mëdha se të
tjerët që të sistemohen në një
vend evropian dhe të jetojnë në
kushte të barabarta si vendasit.
Mjaft të preferuar do jenë zanatet
e hidraulikëve, mekanikëve,
marangozëve, bojaxhinjve, por
edhe inxhinierëve gjenetistë,
biologëve, mjekëve dhe profesionistëve
me grada dhe tituj
shkencorë.
Këshilli Evropian, më 25 maj,
i dha përfundimisht "dritën e
gjelbër" dy normave ligjore, njëra
për të futur "Kartën Blu" për
emigrimin e punëtorëve shumë
të kualifikuar. Ndërsa tjetra lidhet
me ndëshkimet për punëdhënësit
që punësojnë punëtorë të parregullt,
nga vende jashtë BE-së.
Tani shtetet anëtare kanë dy vite
kohë për të inkorporuar dhe zbatuar
dispozitat e këtyre normave.
Zëvendëspresidenti i Komisionit
Evropian, Zhak Barro, riafirmoi
se bëhet fjalë për dy elementë
të rëndësishëm të politikës
së përbashkët mbi emigrimin.
"Me miratimin e ‘Kartës Blu‘ ne
përcjellim një sinjal të qartë, se
pavarësisht nga ulje-ngritjet e
ekonomisë, emigrantët e kualifikuar
janë gjithnjë të mirëpritur
në Evropë". Lidhur me normën
tjetër ligjore, Barro theksoi se:
"T‘u japësh punë emigrantëve
të paligjshëm nuk është gjë e
parëndësishme. Këta emigrantë
janë shumë të rrezikuar të përfundojnë
në realitetin e vështirë
dhe të ashpër të shfrytëzimit dhe
hera-herës në kushte të ngjashme
me skllavërinë".
Sipas rregullave të përcaktuara
nga Direktiva, mbajtësit e
"Kartës Blu-BE" do të gëzojnë
trajtim të barabartë me shtetasit
e vendit anëtar, që e lëshon këtë
dokument. Kjo, për sa i takon: kushteve
të punës, përfshirë pagën
dhe largimin prej saj; lirisë së
organizimit; arsimimit, trajnimit
dhe njohjes së kualifikimeve; një
sërë dispozitave në legjislacionin
kombëtar, lidhur me mbrojtjen
shoqërore dhe pensionet; qasjes
ndaj mallrave dhe shërbimeve,
përfshirë procedurat për të marrë
strehim, shërbime informacioni
dhe të këshillimit; dhe qasje të
lirë në të gjithë territorin e shtetit
anëtar në fjalë, brenda kufizimeve
të parashikuara nga legjislacioni
kombëtar. Pas botimit në
Gazetën Zyrtare të BE-së, shtetet
anëtare do të kenë dy vjet kohë që
të inkorporojnë dispozitat e reja
në legjislacionin e tyre kombëtar.
Direktiva për punësimet e paligjshme
parashikon, gjithashtu,
ndëshkime financiare, përfshirë
edhe kostot e riatdhesimit të
mundshëm, si dhe ndëshkime
administrative (anulimi i licencës
për ushtrimin e aktiviteteve apo
edhe mbyllja e ndërmarrjes). Në
rastet më të rënda ajo përmban
edhe ndëshkime penale. Shtetet
anëtare të BE-së në zbatim të dy
direktivave të miratuara duhet
të ngrenë mekanizma për të lehtësuar
denoncimet dhe për të
garantuar inspektime në vendet
e punës më me rrezik.
Direktiva synon që në luftën
kundër emigrimit të paligjshëm
të ndalojë punësimin e shtetasve
nga vende jashtë BE-së që
qëndrojnë në mënyrë të paligjshme
në territorin e tyre. Për
këtë qëllim ajo fut norma minimale
të përbashkëta lidhur me
ndëshkime për punëdhënës që
shkelin këtë ndalim. Direktiva
plotëson tekstet legjislative mbi
riatdhesimet për ata që kanë hyrë
paligjshmërisht në BE, apo kanë
shkelur kushtet e vizës së hyrjes
dhe "Kartën Blu", që synon tërheqjen
e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Megjithatë, shtetet anëtare
janë të lirë të ndëshkojnë me më
pak ashpërsi punëdhënësit, "persona
fizikë" që kanë punësuar
me qëllime private një të huaj si
bashkëpunëtor familjar.
Duhet theksuar se Direktiva,
ndërsa në thelb parashikon
ndëshkime, që luhaten nga gjoba
administrative në ndjekje
penale në varësi të shkallës
së rëndimit, numrit dhe vazhdueshmërisë
së punësimit të
paligjshëm, synon po kështu që
emigrantët të trajtohen me ndershmëri
dhe drejtësi. Punëdhënësit
nga ana e tyre, duhet të sigurohen,
duke verifikuar që para
se të punësojnë dikë nga shtete
jo anëtare, ata të kenë një leje
të vlefshme qëndrimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›