Emigrantët mund ti marrin pasaportat brenda 5 ditëve
Luan Kondi
Tiranë - Vetëm pesë ditë do t’i duhet një emigranti që kërkon të pajiset me pasaportë për të marrë këtë mjet identifikues në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa për shtetasit që kanë emergjenca shëndetësore afati i prodhimit të pasaportës arrin deri në 3 ditë.
Kthimi i emeigrantëve
Në kuadër të sezonit turistik, kur numri i emigrantëve që kthehen në atdhe është i madh, Drejtoria e policisë së Tiranës ka marrë masat për shpejtimin e afateve për prodhimin e pasaportave, afat i cili reduktohet në 5 ditë nga 10 në ditë të zakonshme. Zëdhënësja e policisë së Tiranës Alma Katragjini tha dje në një konferencë për shtyp se “strukturat e seksionit të Policimit në Komunitet, pranë kësaj drejtorie kanë marrë udhëzimet përkatëse për menaxhimin sa më mirë të prodhimit të pasaportave, duke punuar me orare të zgjatura si në sportelet e aplikimit, ashtu dhe në ato të shpërndarjes”. Duke veçuar faktin se vetëm dje janë prodhuar 250 pasaporta, zëdhënësja Katragjini bëri të ditur se këto masa janë marrë me qëllimin për të përballuar në kohë nevojat e shtetasve të interesuar. “Në këtë kontekst, u bëjmë me dije se - pranë sporteleve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës aktualisht janë prodhuar datat e aplikimit 14 Korrik 2008”, vijoi zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Ndërsa, vetëm përgjatë ditës së djeshme janë prodhuar një numër i konsiderueshëm pasaportash, që duhet të tërhiqen nga qytetarëve të Tiranës, të paraqiten pranë këtyre sporteleve për të tërhequr pasaportat e tyre, pasi gjendja e pasaportave në total të prodhuara, por ende të pa tërhequra është rreth 700 pasaporta.
Prodhimi
Me rregulloren e re, tashmë çdo qytetar mund të pajiset me pasaportë brenda një afati rekord, nëse plotëson kriteret e përcaktuara. Policia ka publikuar të gjitha pikat dhe rastet e marrjes së dokumentit identifikues, apo zgjatjen e afatit të saj, sipas kategorive. Po ashtu, janë publikuar kushtet e reja edhe për shtetasit nën moshën 16 vjeç, të cilët nuk mund të aplikojnë vetë, pasi për këto raste aplikojnë prindërit, kujdestari ose përfaqësuesi ligjor, bazuar kjo me dokumentet që justifikojnë këtë veprim. “Kur fëmija bashkëjeton me të dy prindërit, kërkesa do të nënshkruhet nga të dy prindërit dhe të jetë e noterizuar.”, - thuhet në rregullore. Në rast se prindërit janë të divorcuar, kërkesën dhe dokumentet për pajisjen e fëmijës me pasaportë si dhe tërheqjen e saj e bën prindi (babai ose nëna), ose kujdestari, të cilit, në bazë të vendimit të gjykatës, i është lënë e drejta prindërore. Procedura kryhet duke shtuar edhe një kopje të vendimit të gjykatës. Kërkesa duhet të jetë e noterizuar. Po ashtu, janë parashikuar procedurat e pajisjes me pasaportë për fëmijët e lindur jashtë martese me shtetas shqiptarë apo të huaj. Sipas tyre, dokumentacioni paraqitet nga prindi i cili e ka në ngarkim fëmijën.
21 Korrik 2008