Emigrantët në Greqi, letër Parlamentit Evropian
07/02/2005 Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë që jetojnë në Greqi, i ka dërguar këto ditë një notë proteste Parlamentit Evropian, ku akuzohet qeveria e Athinës për shkelje të të Drejtave të Njeriut ndaj shqiptarëve. Në deklaratën e firmosur prej emigrantëve denoncohet dhuna, zhdukjet masive dhe fushatat e spastrimit të emigrantëve, pa asnjë shkak nga autoritetet greke. Në notën e protestës, gjithashtu denoncohen dhe rastet e dënimit me gjyqe të inskenuara, pa avokatë dhe pa përkthyes. Një vend të rëndësishëm në notën e protestës të bërë nga emigrantët ka zënë dhe indiferenca e shtetit shqiptar, i cili sipas tyre po tregon mungesë kujdesi për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve në shtetin grek. Rast për këtë, Shoqata e emigranëteve sjell nisjen mjaft të vonuar të hetimeve nga ana e autoriteteve shqiptare për 500 fëmijët e zhdukur në Greqi. Pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve, dyshohet të jenë shqiptarë, të cilët mendohet se janë rekrutuar për të lypur në rrugët e Greqisë.