E Hënë, 2 Nëntor 2026

Komision parlamentar për decentralizimin e pushteteve

07/02/2005  Në platformën e Komitetit të Orientimit të Politikave, Pushteti Lokal do të ketë dhe detyrën e planifikimit urban të qyteteve, duke reduktuar ndjeshëm rolin e Këshillit të Rregullim Territorit në Republikën e Shqipërisë në këtë drejtim. Ndërsa procesi duhet të monitorohet nga një komision i posaçëm parlamentar, specialistët janë të mendimit se janë Bashkitë e qyteteve, ato që i dinë më mirë nevojat e qyteteve, për rrugët, spitalet apo qendrat e banuara. "Në shumë raste planet e zhvillimit urban janë bërë objekt lufte politike, mes klaneve brenda të njëjtës forcë politike që qeveris. KRTRRSH, e drejtuar nga Pushteti Qëndror, ka pasur raste që ka rrëzuar projektet e urbanistikës të hartuara nga bashkitë, në favor të interesave të njërit apo tjetrit pushtetar", shprehen hartuesit e strategjisë. Sipas tyre, plani i zhvillimit urban, nuk mund të diktohet nga Pushteti Qëndror, i cili jo në pak raste modifikon projektet e sjella për miratimin në KRRTRSH-në nga Pushteti Vendor. "Hartimi i planeve urbanistike dhe i zhvillimit urban do i lihet Bashkisë. Qeveria do të ketë rol kontrollues. Pra, në rast se evidentohen shkelje ligji, atëherë dhe përgjegjësia e Bashkisë do të jetë më e madhe. Praktika e deritanishme ka treguar se në shumë raste, Bashkia i ka shkarkuar përgjegjësitë për ndërtimet pa leje, mbi individin, ndërsa në rastet kur janë evidentuar shkelje të rregullave urbanistike, përgjegjësia është shkarkuar mbi Pushtetin Qëndror. Me delegimin e kompentencave që lidhen me projektimin e zhvillimit urban, por dhe me zbatimin e ligjit, atëherë përgjegjësia kryesore për shkeljet i kalon Pushtetit Vendor", thonë specialistët. Ndër pikat e tjera të rëndësishme të strategjisë të decentralizimit janë kalimi i përgjegjësisë të Pushtetit Vendor në administrimin e taksave lokale, fokusimi në zgjidhjen e problemeve të strehimit, etj. Sipas specialistëve, është e nevojshme që zbatimi i proçesit të decentralizimit të shoqërohet dhe me një komision monitorues parlamentar, i cili do siguronte mbarëvajtjen në zbatimin e kësaj strategjie. Detyra e këtij komisioni veç monitorimit, do të jetë dhe propozimi i akteve ligjore dhe nënligjore që do të ndihmojnë në zbatimin e strategjisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›