PD vijon zgjedhjet e nëndegëve
07/02/2005 Në vijim të zgjedhjeve të kryetarëve të nëndegëve të PD-së së Tiranës, në datat 2 dhe 4 shkurt u zhvilluan zgjedhjet për nëndegën numër 38, që përfshihet në njësinë bashkiake numër 9. Sipas Sekretarit për Marrëdhëniet me Publikun, Aleksandër Biberaj, kjo nëndegë ka rreth 31 seksione me rreth 500 anëtarë. Për vendin e kryetarit të nëndegës kandiduan Gjok Vuksani dhe Mehmet Spahiu. Pas votimit, rezultoi me shumicë votash fitues, Gjok Vuksani. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001, kjo zonë u fitua nga Partia Demokratike, ndërsa në zgjedhjet e 2003-it u fitua prej socialistëve. Po të shtunën u zhvilluan dhe zgjedhjet për kryetar në nëndegën numër 31, Bashkia Kamëz. Në garë për postin e kryetarit të kësaj nëndege, kandiduan Xhelal Mëziu, Korab Lita, Arben Muja dhe Hamdi Doçi. Në fund të votimit fitues u shpall Xhelal Mëziu me profesion ekonomist. Nëndega numër 31, mund të konsiderohet dhe si bastion i PD-së, pasi kjo zonë është fitur në të dyja zgjedhjet radhazi nga opozita aktuale, në vitin 2001, në zgjedhjet e përgjithshme, po ashtu dhe në zgjedhjet e Pushtetit Vendor të 2003-it.