Propozohet ngritja e spitaleve "bashkiakë"
07/02/2005 Kompentencat e pushtetit lokal në strategjinë e hartuar nga KOP, shtrihen dhe në fushën e shëndetësisë. Sipas platformës së hartuar, përveç spitaleve publike, Bashkia ka të drejtën e ngritjes dhe të administrimit të një spitali bashkiak. Spitali do të jetë në juridiksionin e Bashkisë dhe do të administrohet e financohet nga ajo. Sipas hartuesve të strategjisë, spitalet Bashkiakë janë një përvojë e njohur në shumë shtete perëndimore. "Në rast se Bashkisë i lihet e drejta të ndërtojë, administrojë dhe finanacojë spitalin rajonal, atëherë do të përmirësohet dukshëm dhe shërbimi spitalor", thonë hartuesit. Sipas specialistëve, përvoja ka treguar se lënia e këtij shërbimi në dorë të Pushtetit Qëndror, në shumë raste ka sjellë dhe shkatërrimin e qendrave spitalore për shkak të mungesës së investimeve. "Për vetë natyrën e tij, Pushteti Vendor është i prirur që t'a përmirësojë këtë lloj shërbimi në favor të komunitetit. Shëndetësia është një nga problemet më të mprehta që kanë komunitetet në përgjithësi", thonë specialistët. Në këtë rast, është theksuar dhe nevoja e përmirësimit të ligjit dhe të masave në sigurimet shëndetësore. Kjo për vetë faktin se me përmirësimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, do të kemi dhe një ndihmesë ndaj shtresave në nevojë me mjekimet falas. Gjithsesi, përmirësimi i masave në spitale si dhe rritja e pagave për bluzat e bardha,, shihet si mundësia më e mirë për sistemin spitalor.