E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pushteti Vendor bashkohet me Ministrinë e Rendit

07/02/2005  Propozimi i KOP. Shkrirja e dy ministrive do të sjellë zbatimin konkret të ligjeve të shtetit

Pushteti qendror do të ketë rol kontrollues për veprimtarinë e bashkive

Komiteti i Orientimit të Politikave të PD-së, në strategjinë për decentralizimin parashikon bashkimin e Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit me Ministrinë e Rendit Publik në një institucion. Hartuesit e reformës janë të mendimit, se bashkimi i këtyre dy institucioneve do të rriste efiçencën e punës së dy ministrive, sidomos në nivel lokal për sa i pëket zbatimit të ligjit. "Shqipëria nuk ka pse të ketë një Ministri për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin. Kalimi i kësaj Ministrie në varësi të Ministrisë së Rendit, do rriste efiçencën në punë në nivel lokal dhe do të sillte një zbatim më të mirë të ligjit", shprehen hartuesit e strategjisë. Sipas tyre, kalimi i kësaj ministrie në varësi të Ministrisë së Rendit do i vinte më shumë në ndihmë të zgjedhurve lokalë, të cilët do të rrisnin kompentencat e tyre. "Askush më mirë se të zgjedhurit lokalë nuk i dinë problemet e rendit. Në rast se MPVD, kalon në varësi të Ministrisë së Rendit atëherë krerët e pushtetit lokal, rrisin kompetencat e tyre në zbatimin e ligjit. Shkrirja e këtyre ministrive do të thotë që kryetarët e bashkisë, të kenë dhe më shumë kompentenca në përdorimin e komisariateve të policisë në favor të komunitetit", thonë specialistët. Sipas tyre, forcimi i kompentencave të krerëve të bashkisë në rrethe do të shmangte mungesën e rendit dhe të qetësisë. Tek e fundit komisariatet e policisë vlejnë për të siguruar rendin dhe qetësinë e qyteteve, ku ato janë ngritur. Dihet që në shumë vende të botës kryetari i bashkisë ka kompentenca të plota mbi rajonet e policisë. Kjo nuk do të thotë, që rajoni i policisë do të kalojë në varësi të plotë të bashkisë, por do të jetë një zgjidhje që shmang burokracitë e rastit dhe i gjendet më afër qytetarit", shprehen specialistët.

Ndërtimorët

Në strategjinë e KOP-it është parashikuar dhe kalimi i policisë ndërtimore në varësi të Pushtetit Lokal. Sipas specialistëve kalimi nën përgjegjësinë e bashkive të kësaj strukture do të rriste dukshëm zbatimin e ligjit në fushën e ndërtimeve pa leje. "Flasim për decentralizim të pushtetit, dhe decentralizim do të thotë në radhë të parë delegim kompetencash. Policia ndërtimore deri më tani është në varësi të pushtetit qëndror, apo Ministrisë së Rregullimit të Territorit. Si e tillë ka ndodhur që në shumë raste ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve të Kryetarëve të Bashkisë për të zbatuar ligjin. Është e natyrshme që ky instrument i zbatimit të ligjit të kalojë në varësi të Pushtetit Lokal", thonë specialistët. Por nga ana tjetër, sipas hartuesve të strategjisë, rritja e kopetencave në nivel lokal duhet të shoqërohet dhe me rritjen e monitorimit të punës nga Pushteti Qëndror, ndaj krerëve të Bashkive. "MPVD-ja si strukturë brenda Ministrisë së Rendit do të ketë si synim pikërisht këtë, monitorimin e rreptë të Pushtetit Vendor në zbatimin e ligjit", thonë specialistët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›