E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, pasaporta del për pesë ditë

Policia angazhohet të shpërndajë pasaporta në kohë rekord për emigrantët e kthyer në vendlindje për festë. "Nevojat e shtetasve shqiptarë emigrantë për pasaportë do të plotësohen në afat të shkurtër prej pesë ditësh dhe në raste emergjente për tri ditë". Kështu bëri të ditur dje zyra për shtyp e Drejtorisë së Policisë. Sipas këtij njoftimi, janë marrë masat e nevojshme për t‘iu përgjigjur në kohë kërkesave të emigrantëve për t‘u pajisur me pasaportë për jashtë vendit. Stafi i Seksionit të Policimit në Komunitet, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe komisariatet e Policisë nr.1,2,3,4,5,6 dhe Kavajë kanë marrë udhëzimet përkatëse për menaxhimin sa më mirë të prodhimit në kohë të pasaportave. Ndërkohë, është organizuar puna për mbajtjen hapur të sporteleve për aplikime të shtetasve edhe ditën e hënë, më datë 28 prill 2008 nga ora 09:00 deri më 13:00. Po ashtu edhe sportelet e shpërndarjes së pasaportave. Festa e Pashkës ka thyer në vendlindje qindra shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj, Greqi. Rreth 25 mijë emigrantë kanë hyrë gjatë 36 orëve të fundit nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Sipas Policisë së Qarkut të Gjirokastrës "ky është fluksi më i madh i hyrjeve i regjistruar në Kakavijë, gjatë katër muajve të parë të këtij viti". Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në bashkëpunim me Policinë e Qarkut të Gjirokastrës ka marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e emigrantëve, duke filluar nga shtimi i sporteleve deri në normalizimin e qarkullimit rrugor, pasi gjatë 36 orëve të fundit kanë hyrë mbi 5 mijë automjete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›