Emigrantët presin radhën në temperatura nën zero
Kapshticë- Rikthehen radhët e gjata dhe të mundimshme për emigrantët shqiptarë në pikën kufitare të Kapshticës. Nga orët e para të mëngjesit të së dielës janë rishfaqur radhët në pikën kufitare. Pala greke, sipas burimeve të policisë shqiptare, punon me personel të reduktuar për shkak të fundjavës, ndërsa i është kërkuar kësaj të fundit të mos krijohen vonesa për udhëtarët shqiptarë, në një kohë kur temperaturat në Kapshticë janë tejet të ulëta. Pala greke e cila punon me vetëm 4 sportele për dalje, ka premtuar se do të punojë me ritme të shpejta dhe në rast nevoje sipas saj mund të shtojë dhe dy sportele të tjera. Ndërkaq, pala shqiptare punon me 7 sportele për daljet nga Shqipëria, një numër ky i nevojshëm për përpunimin e të dhënave ndërkufitare për shtetasit shqiptarë që kalojnë në drejtim të vendit fqinj. Duke iu referuar shifrave zyrtare të policisë kufitare në Kapshticë, mësohet se gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi plot 6 900 persona me 1800 mjete. Ndërkaq kanë hyrë në Shqipëri rreth 2 800 persona përgjatë 24 orëve të fundit. Autoritetet janë angazhuar për të shmangur çdo vonesë, pasi pritja në kufi është mjaft e vështirë për shkak të temperaturave të ulëta që kanë përfshirë rajonin juglindor të vendit. Gjatë ditës së diel termometri në këtë vendkalim regjistroi -7 gradë celsius, ndërkohë që për t’iu ardhur në ndihmë të moshuarve dhe fëmijëve autoritetet shqiptare kanë kërkuar praninë e një autoambulance në kufi me personel mjekësor, për çdo rast që lidhet me emergjencat shëndetësore. I.V