E Diel, 1 Nëntor 2026

Fluks në Kakavijë, 15 mijë qytetarë kalojnë kufirin

Fundjava në stacionin kufitar të Kakavijës ka shënuar një rritje të ndjeshme të fluksit të këmbësorëve dhe automjeteve që udhëtojnë në drejtim të Greqisë. Gjatë fundjavës nëpërmjet kësaj dogane kanë lënë pas tokën shqiptare rreth 15 mijë persona, pjesa më e madhe e të cilëve janë emigrantë që kthehen në shtetin fqinj pasi kanë kaluar festat e fundvitit në vendlindje. Falë masave të marra nga të dyja policitë, shqiptare dhe greke, emigrantët nuk kanë ndeshur radhë pritjeje në kufi. “Aktualisht ne punojmë me 9 sportele, pesë prej të cilëve në dalje nga toka shqiptare dhe jemi në gatishmëri që në rast të rritjes së fluksit të lëvizjes të shtojmë edhe numrin e sporteleve”, - thonë burimet policore në Kakavijë. Ndërkohë edhe policia greke punon me 5 sportele, tri prej të cilave në hyrje të shtetit fqinj, duke minimizuar kohën e pritjes së bashkatdhetarëve tanë që udhëtojnë në drejtim të Greqisë. Sipas përfaqësuesve të Policisë Kufitare në Gjirokastër, gjatë këtij sezoni festash ata përballuan fluksin më të lartë të lëvizjes në të dyja anët e kufirit gjatë viteve të fundit. Gjatë këtyre javëve kanë lëvizur në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek rreth 30% më shumë automjete dhe këmbësorë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›