Festat, brenda 24 orësh janë kthyer në Shqipëri 27 mijë emigrantë
Vijon fluksi i ardhjes së emigrantëve për të festuar festat e fundvitit në Shqipëri. Brenda 24 orëve të fundit 27 mijë emigrantë kanë kaluar kufirin për të hyrë në tokën shqiptare. Sipas raportimeve, fluksi më i madh i emigrantëve vihet re në pikën kufitare të Kakavijës dhe atë të Kapshticës. Burime nga dogana e Kakavijës bëjnë të ditur se në 24 orët e fundit kanë kaluar kufirin rreth 13 mijë shtetas dhe mbi 3600 automjete. Ndërsa në Kapshticë, në 24 orët e fundit, kanë kaluar kufirin rreth 10 mijë shtetas dhe mbi 2500 automjete. Fluksi i ardhjes së emigrantëve është vënë re edhe në Portin e Durrësit, si dhe në atë të Vlorës. Gjatë natës së enjtes në Portin e Durrësit janë ankoruar 3 tragete, nga të cilat kanë zbritur 4 mijë shtetas dhe 1300 automjete. Kurse në Portin e Vlorës, në mëngjesin e ditës së djeshme është ankoruar vetëm një traget me 500 persona dhe 150 automjete, ndërkohë që pritet mbërritja e dy trageteve të tjera, që janë vonuar në rrugë për shkak të detit të trazuar.
26 Dhjetor 2009