E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, radha në Kakavijë arrin në 4 km

Kakavijë- E diela ka shënuar numër të madh emigrantësh në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Numri i madh i atyre që kanë planifikuar të vijnë në atdhe për pushime ka shënuar radhë kilometrike në anën greke të doganës.

Sipas burimeve nga Kakavija bëhet e ditur se radha në palën greke ka arritur në 4 kilometër, ndërkohë që fluksi i emigrantëve sa vjen e rritet.

Në radhë shikon familje të tëra, me fëmijë të vegjël, që rrinë në temperatura të larta e në diell, në pritje që t’u vijë radha për tu afruar në sportele. Policia jonë doganore bën me dije se shkak i radhës së krijuar është bërë fluksi i madh i emigrantëve shqiptarë që synojnë të hynë në atdhe.

Ndërkaq puna nëpër sportele po vijon normalisht, pa asnjë ndalesë. Në anën greke, po punohet me kapacitetin e mëparshëm të sporteleve, 8 gjithsej; 4 në hyrje e 4 në dalje. Kurse dogana jonë punon me 7 sportele në hyrje e 3 në dalje.

Sipas të dhënave nga dogana mësohet se që nga mesi i natës së mbrëmshme në tokën shqiptare kanë hyrë 6100 shtetas, 1400 automjete dhe 50 autobusë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›