Rëndë 20-vjeçari, e goditën 8 herë me thikë
Elbasan- Një 20-vjeçar është masakruar me thikë nga 4 adoleshentë, të cilët pas krimit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas burimeve të policisë, mësohet se ngjarja ndodhi në Elbasan, në afërsi të busit të Kristoforidhit. “Resmi Fetahu, 20-vjeç, shofer në një firmë private të qytetit është sulmuar nga 4 adoleshentë”- thanë burimet e policisë së Elbasanit.
I riu është goditur 8 herë me thikë dhe është lënë i gjakosur përtokë, ndërkohë që ata janë larguar me shpejtësi. Policia ka mundur që pak orë pas ngjarjes të vërë në pranga 3 nga autorët, ndërkohë që i katërti është shpallur në kërkim.
Ende, policia nuk bën të ditur emrat e autorëve, për arsye hetimi, e po ashtu nuk jepet një pistë e qartë e ngjarjes. Për momentin thuhet se gjithçka ka ndodhur për arsye banale. “Detaje do të jepen pasi autorët të dëhsmojnë e pasi të kapet edhe i kërkuari tjetër”- thanë burimet policore.
Ndërkaq, i dëmtuari është përcjellë për në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku ndodhet në gjendje shumë të rëndë për jetën. Sipas mjekëve, ai ka marrë plagë të thella në pjesë të ndryshme të trupit si pasojë e goditjeve të njëpasnjëshme me thikë.