Gjeorgjia në gjendje lufte, mendohet 2 mijë viktima
Parlamenti gjeorgjian ka miratuar një dekret presidencial për shpalljen e gjendjes së luftës. Deklarata është e vlefshme për 15 ditë dhe i krijon mundësi ushtrisë që të thërres rezervistë. Ky vendim erdhi në kohën kur avionë rusë kryen sulme ajrore mbi objektiva ushtarakë në qytetin gjeorgjian Gori, ku trupat qeveritare po mobilizohen për të mbështetur forcat e tyre në rajonin e Osetisë Jugore. Sipas versionit gjeorgjian aviacioni luftarak rus kishte bombarduar objektiva në Gjeorgji, qytetin Gori, Poti, një stacion shkarkimi nafte dhe sipas njoftimeve gjeorgjiane edhe naftësjellësin Baku-Tiflis- Çejan. Sakashvili akuzoi rusët se po sulmojnë qëllimisht objektiva civile dhe bëri thirrje për ndihmë ndërkombëtare. "Ne apelojmë ndaj miqve dhe aleatëve tanë, për të ndikuar që Rusia të lerë veprimet e saj armiqësore. Gjeorgjia është një vend paqedashës, por sot është sulmuar nga veriu në jug, nga lindja në perëndim",- tha ai.
Njoftimet bëjnë të ditur se një numër i madh civilësh janë vrarë apo plagosur. Ende nuk ka një shifër të saktë të viktimave por mendohet se janë vrarë mbi dy mijë njerëz. Nga ana tjetër vetë Rusia pranoi se dy avionë të saj janë rrëzuar. Më herët Rusia tha se trupat e saj kishin marrë kryeqytetin e Osetisë Jugore, Tskhinvali, pasi u sulmua nga trupat gjeorgjiane ditën e enjte në mbrëmje. Moska këmbëngul se më shumë se njëmijë civilë kanë mbetur të vrarë, një pretendim që hidhet poshtë nga Tbilisi. Për të përballuar situatën Gjeorgjia ka thërritur në mënyrë urgjente dy mijë ushtarët e saj që po shërbenin në Irak.
Por situata është tensionuar edhe më shumë. Forcat separatiste në Abkhazi, një tjetër provincë problematike, thonë se kanë kryer një sulm me artileri mbi forcat gjeorgjiane në Kodori. Deklaratat bëjnë të ditur për një numër të madh viktimash por kjo nuk është konfirmuar ende. Ministri i Jashtëm i qeverisë së vetëshpallur të Abkhazisë, Sergei Shamba tha se separatistët donin që të përzinin trupat gjeorgjiane nga ky rajon, i vetmi vend që kontrollohet nga Tbilisi. Nuk është qartë nëse avionët e përdorur në sulme janë rusë, apo të separatistëve të abkhazianë.
Me luftë Rusia detyron Gjeorgjinë për paqen
Presidenti rus Medvedjev ndërkohë ka bërë fjalë për mijëra të vdekur, të shkaktuar nga sulmet gjeorgjiane: "Paqeruajtësit tanë dhe trupat që ju kanë shkuar në ndihmë po zhvillojnë aktualisht një operacion, që ka si synim të detyrojë palën gjeorgjiane për paqe." Në bisedimet mes presidentin Bush dhe kancelaren Merkel, Medvedjev ka përmendur edhe kushtet për fundin e luftimeve. Gjeorgjia duhet të tërhiqet tërësisht nga provinca osetianojugore. Përveç kësaj Tbilisi duhet të sigurojë me marrëveshje heqjen dorë nga dhuna kundër Osetisë jugore dhe të mos pretendojë më për rajonin e dytë që synon pavarësimin, Abkazinë. Të shtunën në këtë rajon janë sulmuar trupat gjeorgjiane. Ndërkohë Sakashvili ka propozuar arritjen e një armëpushimi dhe çarmatosjen e trupave dhe demilitarizmin e zonës. Vëzhguesit pretendojnë se ai synon vetëm të fitojë kohë deri sa të kenë mbërritur trupat nga Iraku, të cilat ai synon t'i kthejë në vend.
Bush: Rusia të respektorë integritetin e Gjeorgjisë
Duke folur në Pekin, Presidenti Bush ka thënë se është shumë i shqetësuar lidhur me situatën në Gjeorgji. Ai tha se integriteti i Gjeorgjisë duhet të respektohej dhe i bëri thirrje Rusisë të ndalonte bombardimet. Ai tha se SHBA-ja po punonte drejt një ndërmjetësimi ndërkombëtar. Bush shtoi se paqja duhet të vendosej sa më shpejt të ishte e mundur. Më herët, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, i tha BBC-së se vendi i tij nuk donte luftë me Gjeorgjinë. Zoti Lavrov akuzoi presidentin Saakashvili se po e ekzagjeronte kërcënimin rus duke pretenduar se Rusia kishte pretendime territoriale në ish territore sovjetike. Zoti Lavrov tha se qëllim i Rusisë ishte vetëm të rivendoste rendin në Osetinë Jugore, siç ishte përpara shpërthimit të konfliktit dy ditë më parë.