E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakavija në kaos, këshillohen pika të tjera kufitare

Fluksi i madh i emigrantëve ka bllokuar pothuajse krejtësisht Kakavijën. Mijëra emigrantë kalojnë natën jashtë

KAKAVIJË- Fundjava shënon sërish fluks të konsiderueshëm të emigrantëve dhe dita e djeshme ka shënuar pikun e nivelit të lëvizjeve në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Kështu, gjendja në këtë vendkalim kufitar është paraqitur mjaft e ngarkuar përgjatë orëve të natës dhe pothuajse gjatë gjithë ditës së shtunë, ku mijëra emigrantë kanë pritur për orë të tëra në radhë. Për herë të parë, duke mos e përballuar dot fluksin, pala greke nuk i ka hedhur të dhënat e personave në sistem, por vetëm ka vulosur pasaportat. Zyrtarët e policisë këshillojnë përdorimin edhe të pikave të tjera kufitare nga emigrantët për të shmangur radhët e gjata.

Lëvizjet

Rreth 11 mijë emigrantë llogaritet të kenë hyrë në territorin shqiptar përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës brenda një harku kohor prej 16 orësh, duke filluar nga mesnata e deri rreth orës 16.00 të ditës së djeshme, kohë në të cilën u normalizua situata. Numri mjaft i lartë i hyrjeve të shtetasve, i automjeteve ka bërë që gjendja të paraqitet mjaft e rënduar, dhe me radhë mjaft të gjata që në pjesën më të madhe të kohës llogariteshin në 5-6 kilometër në tokën greke në pritje për të hyrë në territorin shqiptar. Ndryshe nga zakonisht, kur dyndja më e madhe e lëvizjeve përfshin harkun kohor 00.00- 05.00 të mëngjesit, e gjithë dita e djeshme ka qenë mjaft e ngarkuar. Për zyrtarët e vendkalimit të Kakavijës radha dhe pritja është e natyrshme, duke pasur parasysh fluksin tepër të madh. “Sot kemi të bëjmë me një gjendje jashtëzakonisht të rënduar për shkak të ardhjes së një numri mjaft të madh emigrantësh. Vetëm gjatë orëve të natës llogaritet të kenë hyrë në tokën shqiptare rreth 11 mijë njerëz dhe rreth 2.500 automjete, shifra këto mjaft të larta për t’u përballuar për 16 orë. Ne jemi në gatishmëri dhe po iu shërbejmë me maksimumin e sporteleve dhe personelit shtetasve. Gjithsesi edhe pse janë krijuar radhë në territorin grek dhe shtetasit janë të detyruar të presin, kjo gjendje nuk mund të cilësohet e jashtëzakonshme”, janë shprehur zyrtarët e policisë.

Në dispozicion të emigrantëve shqiptarë që kthehen për pushime nga pala shqiptare janë vënë në dispozicion shtatë sportele në hyrje dhe tre në dalje, ndërsa nga pala greke katër sportele në hyrje dhe katër në dalje. Por fluksi mjaft i lartë nuk është mundur të përballohet dhe në këto kushte radhët kanë qenë kilometrike.

Emigrantët

Njerëzit kanë qenë të detyruar të presin për orë të tëra për të hyrë në territorin shqiptar, në temperatura mjaft të larta. Megjithëse në tokën shqiptare, pavarësisht fluksit mjaft të lartë të lëvizjeve nuk janë krijuar radhë të gjata, emigrantët kanë shprehur pakënaqësi të mëdha për sa i përket palës greke, ku kanë qenë të detyruar të presin për orë të tëra. Pritja e gjatë në tokën greke deri në përfundimin e të gjitha procedurave të zakonshme kufitare, ka bërë që emigrantët shqiptarë që vijnë për të kaluar pushimet të ndihen të lodhur, të mërzitur e të zhgënjyer. “Çdo vit premtohet se herën tjetër do jetë më mirë, por gjithmonë është e njëjta gjë. Duhet të presim patjetër për orë të tëra në radhë”,- shprehen emigrantët. “Sportelet e hapura në tokën greke janë shumë të pakta dhe radha është e gjatë. Ne kemi qëndruar për pesë orë në radhë dhe fatmirësisht si rrallëherë nuk paska probleme në tokën tonë”,- është shprehur një grua nga Kavaja. Burime zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër kanë bërë të ditur se qysh prej fillimit të afatit të miratuar nga qeveria greke për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në të dy anët e kufirit, që ishte data 20 qershor e deri tani kanë ardhur në Shqipëri rreth 120 mijë shtetas shqiptarë. Edhe gjatë ditës së sotme (e diel) pritet një tjetër numër i madh emigrantësh, që kthehen nga Greqia duke qenë se Kakavija është vendkalimi më i madh tokësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›