Sëmundja e rëndë, vdes gruaja e Ridvan Bodes
TIRANË- Ndahet nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë Eglantina Bode, bashkëshortja e ministrit të Financave Ridvan Bode. Sëmundja e tumorit nga e cila vuante prej disa kohësh Eglantina Bode e ka ndarë atë nga jeta në moshën 48-vjeçare. Bashkëshortja e ministrit të Financave kishte mësuar për sëmundjen e pashërueshme, disa kohë më parë duke filluar dhe të kurohej. Por pavarësisht kurave, sëmundja nga e cila Englantina lëngoi shumë kohë i mori jetën në orët e para të ditës së djeshme. Ndërkohë rreth orës 16:00 të ditës së djeshme trupi i pa jetë i gruas së kreut të Financave u përcoll për në banesën e fundit. Në ceremoninë mortore të 48-vjeçares Bode morën pjesë më qindra njerëz. Në rruga kryesore pranë pallateve “Shallvare” aty ku banon familja Bode u bllokua rruga për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve që morën pjesë në ceremoninë mortore të Eglantina Bodes. Trupi i pa jetë i 48-vjeçares u përcoll në varrezat e Sharrës. Për vdekjen e bashkëshortes, Ministri i Financave ka marrë ngushëllime nga krerët e shtetit, si dhe kolegë të tij të parlamentit. Bode punonte prej kohësh në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave.