E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në nënstacion, Shkodra dhe fshatrat pa energji

Flakët kanë pushtuar nënstacionet Shkodra1 dhe Rrenc duke rrezikuar edhe shtëpitë e banimit pranë tyre

SHKODËR- Një avari në linjën e tensionit të lartë që furnizon me energji elektrike nënstacionet elektrike Shkodra 1 dhe atë të Rrencit, ka pësuar një defekt duke djegur fidrat dhe lënë pa drita pjesën më të madhe të qytetit. Ka qenë ora 08.15 kur qarku elektrik ka shkaktuar zjarr në nënstacionin e Rrencit. Flakët janë shfaqur tek thikat e njërës prej kabinave të këtij nënstacioni dhe ka dëmtuar fidrin kryesor dhe duke lënë pa energji elektrike rreth 30.000 banorë.

Zjarrfikëset që kanë ndërhyrë me shpejtësi kanë bërë të mundur lokalizimin e më pas shuarjen e zjarrit duke shpëtuar transformatorin kryesor të nënstacionit. Për pjesën e qytetit të Shkodrës, energjia elektrike është ndërprerë për rreth 30 minuta, më pas është bërë rilidhja e fidrave të dëmtuar që përcjellin energjinë elektrike tek nënstacioni Shkodra 1, me ato të nënstacionit tjetër dhe në qytet është rikthyer normaliteti në furnizimin me energji elektrike. Por kjo situatë ka vazhduar vetëm për pak kohë. Gjatëgjithë ditës së djeshme, lagje të tëra të qytetit kanë pasur shkëputje të energjisë elektrike. “Kemi drita për gjysmë ore dhe pastaj ikin për një orë të tërë. Ikin e vijnë duke na shkatërruar pajisjet elektro-shtëpiake”,- kanë pohuar dje banorët e qytetit të Shkodrës. Ndërkohë, sipas Pjetër Zefit, banor i Rrencit që ka shtëpinë fare pranë nënstacionit, fillimisht është dëgjuar një shpërthim i fortë dhe më pas janë parë flakët. “Kemi lajmëruar menjëherë zjarrfikëset dhe policinë, pasi po të shpërthente transformatori i nënstacionit do kishte pasoja të rënda. Ai ka brenda 24 kuintal vaj brenda dhe shpërthimi i tij do të kishte shkrumbuar gjithë banesat pranë nënstacionit. Kemi dalë jashtë shtëpive të tmerruar”,- tregon ai. Lidhur me shkakun e zjarrit të djeshëm, burime zyrtare të KESH- it në Shkodër nuk japin shpjegime ndërsa gjithçka do t’i nënshtrohet ekspertizës përkatëse. Nënstacioni elektrik i Rrencit, ka fare pranë disa banesa, të cilat dhe pse janë jashtë rrethimit të nënstacionit ndodhen të kërcënuara prej tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›