Vrasja e Eva Vishajt, ekstradohet i dënuari me 20 vjet burg
Ngjarja ndodhi më 23 maj të vitit 1997, në rrugën Tiranë-Elbasan. 39-vjeçarja ishte goditur me një plumb në kokë dhe ishte dhunuar
Luan Kondi
TIRANË – I dënuari me 20 vjet burg për vrasjen e Eva Vishajt nuk ka mundur t’i fshihet edhe policisë, pasi ai dje është ekstraduar nga Interpol Tirana nga Milano, Itali. Albenc Ago, 40 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e shtetases Eva Vishaj (Lila).
Ekstradimi
Burime policore thanë se Ago ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës, në dhjetor 2005 e ka deklaruar fajtor për veprat penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, duke dënuar me 20 vjet heqje lirie. Vendimi i kësaj Gjykate ka marrë formë të prerë më 11 dhjetor 2005. Në vendimin e gjykatës thuhet se, shtetasi Albenc Ago ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen shtetases Eva Vishaj (Lila) me 23 maj të vitit 1997, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në kilometrin e 29-të. Ndalimi dhe më pas ekstradimi i tij u mundësua falë bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Romën.
Ngjarja
Eva Vishaj ka ndërruar jetë në duart e dy personave nga Pogradeci ndërsa ata po ktheheshin nga Tirana për në shtëpitë e tyre. Dëshmitë e tyre kanë qenë pikërisht ato që kanë mundur të hidhnin dritë mbi këtë ngjarje. Dy udhëtarët e kanë gjetur atë në gjendje tejet të rënduar, sa nuk mundi të thotë as fjalën e fundit. Një plumb në kokë i kishte marrë edhe shpresën e fundit të jetës. Ishte 23 maji i vitit 1997, kur dy udhëtarët, para se të futeshim në kilometrin 29, dëgjuam një xhirim gomash dhe zhurmën e një makine që iku me shpejtësi në drejtim të Elbasanit. Duke ecur në krahun e djathtë të rrugës dalluam një femër që rënkonte. Ata dolën me shpejtësi nga vetura dhe iu afruan për ndihmë. Nuk zgjati shumë dhe në më pak se një minutë gruaja ndërroi jetë. Ky ishte momenti i fundit i jetës së saj. Ishte goditur me një plumb në kokë dhe kishte të dëmtuar syrin e djathtë. Autori i krimit, pasi e kishte vrarë, e kishte hequr zvarrë për disa metra për ta hedhur te gremina, në pjesën e poshtme të rrugës. Me sa duket, ai nuk ka mundur ta realizonte deri në fund planin e tij, pasi dëgjoi zhurmën e makinës që po vinte nga drejtimi i Tiranës dhe e la viktimën aty buzë rrugës, pa e hedhur dot në greminë. Kjo dukej pasi gjatë tërheqjes pjesa e bluzës ishte e ngritur lart. Dukej që mbi të, përveç vrasjes, ishte ushtruar edhe dhunë. Duket që ajo nuk i ishte bindur urdhrit të tij.
Hetimi
Kur dy dëshmitarët e vendit të ngjarjes e kishin gjetur gruan thuajse në sekondat e saj të fundit, ata panë të vinin nga Elbasani në drejtim të Tiranës disa makina të forcave speciale. Ata qëndruan aty në vendngjarje duke rrethuar vendin. U njoftua policia, e cila më pas ka kryer ekspertizën e kufomës. Vetëm të nesërmen gruaja është identifikuar si nëna e këngëtares Elsa Lila.
23 maj 1997
është dita kur Eva Vishaj u gjet e vrarë në kilometrin 29, në rrugën nacionale Tiranë- Elbasan. Trupi i pajetë i nënës së dy fëmijëve u gjet nga kalimtarë të rastit, të cilët më pas lajmëruan menjëherë në polici. Policia që atëherë kreu hetime, nuk dalloi shenja dhunë në trupin e viktimës, përveçse një plumb në kokë, që i kishte marrë jetën 39-vjeçares.
dhjetor 2004
deri në këtë kohë nuk ekzistonte asnjë dosje për vrasjen e Eva Vishajt. Familjarët e saj kanë pritur më kot nga policia apo prokuroria për gjetjen e autorëve të vrasjes së vajzës së tyre. Dhe pritja e tyre ka sosur. Ata kanë shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme, ku dhe kanë kërkuar me insistim nisjen e hetimet për vrasjen në rrethana misterioze të vajzës së tyre.
4 muaj
pas kërkesës së familjarëve për nisjen e hetimeve për vrasjen e Eva Vishajt, ankuesit kanë marrë njoftimin se autorët e implikuar në këtë krim janë identifikuar dhe shumë shpejt do të arrestohen. Ky lajm ka mundur të zbusë paksa plagën e të afërmve të Evës, sidomos të babait të saj, që u shpreh se tani do të prehem i qetë.
Familjarët: “Albenc Ago është vrasësi”
Familjarët e Eva Vishajt kanë dhënë disa vite më parë, për grupin e hetimit, emrin e një personi për të cilin ata dyshojnë se është autor i ekzekutimit të vajzës së tyre. Sipas familjarëve, personi me inicialet A. A. është larguar në Itali pas ekzekutimit të Evës. Thuhet se dhe ndaj personit të denoncuar nga familjarët, prokuroria ka prerë fletë-arrestin.
Hetimet
Disa kohë më parë, një grup prokurorësh të Prokurorisë së Tiranës kanë nisur hetimet intensive për vrasjen e Eva Vishajt, nënës së këngëtares së njohur, Elsa Lila. Hetimet nisën pas një letre që babai i gruas së vrarë i dërgoi prokurorit të Përgjithshëm, ku i kërkonte gjetjen e autorëve të vrasjes së vajzës së tij. “Kanë kaluar shumë vite nga vrasja e vajzës sime dhe Prokuroria nuk ka mundur të gjejë autorët dhe motivet e kësaj ngjarjeje”, - thuhej në letrën që babai i viktimës i drejtonte prokurorit të Përgjithshëm.
Fletë-arrestet
Në janar të vitit 2005, pas hetimeve intensive, Prokuroria e Tiranës ka mundur të identifikojë autorët e implikuar në vrasjen e nënës së këngëtares së njohur. Megjithëse hetimet nuk kishin përfunduar, iu prenë fletë-arreste disa prej personave të dyshuar. Prokuroria nuk i bëri të ditur emrat e personave të identifikuar për arsye hetimi. Burime nga grupi i hetimit thanë se arrestimi i tyre do të sjellë dhe dëshmi, të cilat do të zbardhin rrethanat dhe motivet e vrasjes së Eva Vishajt.
12 Mars 2008