Pranga ish-zyrtarëve të KESH-it për shpërdorim detyre
Akuza, favorizim të tenderave për blerjen e energjisë në vite.
Durrës – Sërish zyrtarë të ndërmarrjeve shtetërore bëhen objekt i hetimeve të prokurorisë. Kësaj here, organi i akuzës ka hedhur thonjtë në qytetin bregdetar ku ka vënë në pranga disa ish-zyrtarë. Katër ish-zyrtarë të lartë të KESH-it në Durrës janë arrestuar pasi dyshohet se kanë abuzuar me detyrën duke favorizuar në tenderat që ka organizuar Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e qytetit bregdetar.
Arrestimet
Llambi Karamani, ish-drejtor i KESH-it në Durrës në vitet 2003-2004, Dëfrim Lakna, drejtor i KESH-it në vitet 2005-2006, Plator Mehmeti, nëndrejtor në këtë institucion dhe Pandeli Bega, funksionar i lartë, janë arrestuar pak pas mesnate pas një operacioni sekret të koduar “Voltazh” nga policia dhe prokuroria. Të katër ish-zyrtarët do të përballen me akuzat për shpërdorim detyre dhe favorizim të tenderave për blerjen e energjisë në vitet që kanë qenë në detyrë.
Ngjarja
Kishin kohë që ishin nën hetim, por vetëm dje policia ka mundur të vërë në pranga zyrtarët e KESH-it. Hetuesit i kanë hyrë me themel procedurave të tenderimit që dy ish-drejtorët kishin zhvilluar gjatë kohës që ata ishin në detyrë dhe në to është parë se ka pasur shkelje të mëdha të ligjit. Pasi kanë mbaruar me dokumentacionin e vitit 2003-2004, hetuesit nuk kanë nguruar që të shikojnë edhe atë më të freskëtin, pra të vitit 2005-2006, ku pas shqyrtimit të tyre iu hodhën prangat drejtorit aktual të KESH-it. Kishte pasur sinjal nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkelje të procedurave dhe favorizim të firmave fituese në tender dhe hetuesit vetëm sa e kanë rikonfirmuar atë. Burime të sigurta thanë se bashkë me drejtuesit për shkelje të ligjit do të mbajnë përgjegjësi edhe ish-vartësit e tyre, gjë që vetëm sa u konkretizua me një nëndrejtor dhe një tjetër funksionar të lartë të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për Durrësin. Personat e arrestuar janë marrë në pyetje dhe pritet që pas deponimeve të katër të të arrestuarve do të ketë edhe arrestime të tjera. Ky nuk është rasti i parë kur zyrtarë të shtetit vihen në hetim për abuzim me detyrën. Vetëm pak kohë më parë, në Tiranë u arrestuan tre zyrtarë të Hipotekës.
12 Mars 2008