Emigrantët te pasaportat, kaos si në kohën e ambasadave
FIER/ MAJLINDA RAMARadhët e emigrantëve për të marrë pasaportat biometrike në Fier i ka kaluar përmasat e kaotikes, duke kujtuar kohët e ambasadave. Më shumë se 200 vetë, me kuponë në duar, zaptuan dje që në orët e para të mëngjesit të vetmin sportel të shpërndarjes së këtij dokumenti identifikimi si dhe oborrin e godinës. Si të mos mjaftonin radhët e krijuara në portën hyrëse tek ky sportel, qytetarët, madje mes tyre edhe gra janë kacavjerrë mureve për të pasur mundësi të depërtojnë brenda godinës për të marrë pasaportat. Ata që janë treguar më të shkathët kanë zënë të parët muret dhe parmakët duke u varur hekurave të sportelit për të dorëzuar të parët kuponin, gjë që i bënte ata më pas posedues të pasaportës biometrike. Pamja ishte tronditëse teksa shihje njerëz që ziheshin në radhë, të tjerë që shtyheshin kush e kush të mbërrinte i pari në sportelin e vetëm të shpërndarjes. Shumica e qytetarëve ishin emigrantë, të cilët kanë ditë që presin për të marrë pasaportat. Pikërisht për këtë shkak ata janë kthyer mbrapsht në pikat e kalimit kufitar, duke iu rrezikuar vendin e punës, ndërsa fëmijëve shkollën. Disa prej tyre kishin ditë që rrinin në radhë, ndërsa ata që dje vinin për herë të parë shprehën habinë se si mund të ndodhë një situatë e tillë vetëm për të marrë një pasaportë. “është e pamundur që në vitin 2010 të shohësh të tilla grumbullime për të tërhequr pasaportën, e cila është përgjegjësi e institucioneve ta shpërndajnë brenda të gjitha rregullave. Unë vij për herë të parë, por kam dëgjuar që këtu ka edhe nga ata që presin që në fillim të muajit dhe akoma nuk kanë mbaruar punë”, u shpreh emigranti Fatmir Vani. Ndërkohë, të njëjtin shqetësim kanë ngritur edhe emigrantë të tjerë, të cilët presin prej ditësh në radhë, por pasaporta ende nuk ka dalë. “Jam nisur për në Greqi, por bashkë me familjen na kthyen. Nuk na kanë pranuar në kufi, megjithëse ishte premtuar që vetëm me kuponin e aplikimit mund të kalonim. Ka kaluar më shumë se 10 ditë afati i përcaktuar për të marrë pasaportën dhe akoma nuk e kam marrë. Nuk arrij të futem deri te sporteli, por edhe kur kam shkuar pranë sportelit pasaporta ende nuk kishte dalë”. Kështu u shpreh dje mjaft i irrituar emigranti Sami Mani, i cili po vuan mangësinë e një shërbimi të kualifikuar në zyrën e tërheqjes së pasaportave. Punonjësit që shërbejnë në sportel nuk arrijnë dot të japin një përgjigje për këtë kaos të shkaktuar. Megjithë të ftohtin dhe motin me shi, emigrantët janë të detyruar të presin në radhë pasi siç edhe shprehen vetë, ata po rrezikojnë vendet e tyre të punës.