E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët vendosin radhën sipas numrave të pasaportave

 Mbi 150 emigrantë janë ankuar në zyrën e prefektit të Fierit pasi rrezikohet t’iu skadojë afati i lejes së qëndrimit. Për të evituar një fakt të tillë, kreu i këtij institucioni, Bujar Hasa urdhëroi dje që sporteli i vetëm që funksionon në këtë qytet të punojë në orët e darkës, edhe pas orarit zyrtar. Gjithsesi, dje situata ishte përmirësuar krahasuar me një ditë më parë ku burra e gra u kacavjerrën mureve, kush e kush të zërë i pari radhën për tërheqjen e pasaportave biometrike. Duket se ky përmirësim ka ardhur pas një rregulli të vënë nga vetë emigrantët. Këta të fundit vendosin të bëjnë paqe me njëri-tjetrin pasi situata herë-herë gati precipitoi me përleshje mes tyre gjatë gjithë këtyre ditëve. Zgjidhja e tyre ka sjellë edhe një përvojë më evropiane përsa i përket menaxhimit të situatave të tilla kur radhët janë të pashmangshme. Kështu, u hodhën letra me numra nga emigrantët, të cilat i kanë vendosur në radhë, duke mos shkaktuar më përplasje dhe debate midis tyre. Sipas burimeve nga vetë qytetarët dita e djeshme nisi më e qetë, pasi të gjithë ata që kanë aplikuar në datat 22-26 dhjetor nëpërmjet letrave me numrat rendor nga 1 deri në emigrantin e fundit, janë paraqitur me këtë numër në sportel. Kështu dje janë paraqitur 100 qytetarët që kishin tërhequr 100 numrat e parë, nesër do të vijojnë numrat pas 100-ës, e kështu me radhë deri në përfundim të këtyre numrave, që paraprakisht sipas të dhënave, mund të shkojnë deri të premten. “Ishim tre emigrantë që gjetëm këtë zgjidhje pasi këtu zyrat janë kthyer në hane që rropasin njerëzit. Nuk do të na shkelë më këmba këtu. Me një sportel nuk mund të përballohet kjo situatë, kur edhe kushtet atmosferike janë më të këqijat e ditëve të fundit. Këtu mungon dora e shtetit. Këtë që arritëm ta bëjmë ne vetë, duke vënë rregull dhe qetësi, duhet ta bëjnë zyrtarët, jo të na lënë të shtypemi e të tërhiqemi me njëri- tjetrin si në kohë të qametit. Turp! Vareshin dje vajza e gra nëpër mure vetëm për të mbaruar punë, pse kështu do të rregullohemi ne. Ja shikoni sa qetë është sot. Edhe sot janë shumë ata që do i marrin pasaportat, por të paktën respektojnë një radhë. E di çdo qytetar se cilit numër i ka ardhur radha dhe pret diku në ambiente më të ngrohta. Ne këtu u thamë, u plevitosëm, kemi kaq ditë”, u shpreh Gjergji Lame, një emigrant i cili shpjegoi “gjetjen” që më në fund vendosi pak qetësi në radhë. Ndërkohë shërbimi edhe dje vijoi vetëm me një sportel. Ndonëse nga punonjësit e zyrës nuk jepen shpjegime për shkak të porosive burokratike të eprorëve, burimet brenda tyre bëjnë me dije se aktualisht nuk ka asnjë mundësi që të bëhet e mundur çelja e një sporteli tjetër për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›