E Diel, 1 Nëntor 2026

Isuf Kalo: Infarkti i Enverit u mbajt sekret,pas prishjes me rusët nuk u vizitua më jashtë

 Blendi FevziuRrëfen të vjetrën, kohët kur i ka qëndruar pranë shëndetit të Enver Hoxhës, diktatorit komunist shqiptar, por ka plane dhe njeh shumë mirë të tashmen, hallet e mjekësisë shqiptare të kohërave moderne, të vlerësuar edhe si Thembrën e Aklit të gjithë shoqërisë. Ky është Doktor Isuf Kalo, diabetolog, i specializuar në Francë e vende të tjera të huaja në kohën kur udhëheqësit e Luftës Antifashiste, që morën pushtetin, nisën të vuanin nga diabeti. Intervista e dhënë për gazetarin Blendi Fevziu u transmetua mbrëmjen e djeshme në emisionin e tij “Opinion” në Tv KLAN.Fevziu: Sa i përhapur është diabeti në botë dhe çfarë lloj sëmundjeje është?Kalo: Sëmundja e diabetit është një sëmundje pandemike, e cila ka pasur një shtrirje shumë të madhe në botë. Llogaritet që në botë janë rreth 220 milionë të sëmurë me diabet dhe pritet që së shpejti kjo shifër të shkojë rreth 300 milionë në vitin 2020. është një nga sëmundjet e shekullit dhe një pandemi me një rritje galoponte. Në çdo 10 vjet dyfishohet numri i diabetikëve...Në cilin vit jeni specializuar për diabetin?Menjëherë pas mbarimit të fakultetit të mjekësisë, unë u dërgova për specializim. Në fakt nuk e zgjodha vetë, mu dha sepse ishin nevoja për t’i shërbyer drejtuesve të lartë. Unë mbarova në vitin 1964, dhe një vit më vonë u dërguam në Kinë për të bërë specializim. Profesori që u morë me ne, vinte nga një eksperiencë e gjatë në Amerikë. Pas Kinës, u specializova në Francë po për diabetin, në një nga klinikat më të mira. Isha në Gjenevë më pas.Përse ju çuan për specializim pikërisht për diabetin. Ishte problem në atë kohë për drejtuesit e lartë, ku klinika speciale për ta përballej me këtë problem?Ishte një nga sëmundjet që konsiderohej problem në atë kohë. Në vitet që mbarova unë në 1964, jemi 20 vjet pas mbarimit të luftës, ku kuadrot e reja ishin djelmosha dhe pas 20 viteve arritën moshën pikërisht kur shfaqet diabeti, obeziteti, kur shtohet stresi dhe pakësohet lëvizja, për shkak të punës në zyrë. Pra janë të gjitha premisat që udhëheqësit shumë shpesh vuajnë nga diabeti, nuk ishte sekret kjo. Kishte një numër anëtarësh të Byrosë të Komitetit Qendror që ishin me diabet. Ishte problem diabeti në udhëheqjen e lartë, kishte shumë anëtarë të Byrosë Politike kryesisht që vuanin nga diabeti. E kishin me formë që mjekoheshin në mënyrë të rregullt, kishin edhe komplikacione. Madje njëri prej tyre vdiq nga diabeti në vitin 1970 ishte Gogo Nushi. Ai ishte i pari që vdiq si pasojë e një komplikacioni që i erdhi nga diabeti, një infarkt. Infarkti në fakt vjen më herët, më shpesh dhe më rëndë, tek personat me diabet se sa tek ata pa diabet. Kur u zbulua që Enver Hoxha ishte i sëmurë me diabet?Ai u zbulua në vitin 1948 nga profesor Fejzi Hoxha, ishte rreth të dyzetave në atë kohë, ishte obez po të kini parasysh fotot e tij, ishte në tensionet e punës, koha e ndarjes së ish- Jugosllavinë, pra i kishte të gjitha premisat për diabet dhe shenjat klinike për diabet, kishte etje, urinim të shpeshtë. Profesor Hoxha i kërkoi atij vetëm një analizë urine, e cila është metoda më e thjeshtë për diagnozën e diabetit dhe ajo doli pozitiv. Në një farë mënyre kam përshtypjen që diagnoza e diabetit tek Enver Hoxha, nga profesor Hoxha, në të vërtetë bëri të nisë dhe diabetologjia shqiptare. Sepse në fakt, deri në atë moment unë nuk di që profesor Hoxha, të ketë pasur interes të veçantë për diabetin. Nga ky moment, ai iu përkushtua kësaj sëmundjeve qoftë në leksionet që jepte, studimet etj. Ju si student i Mjekësisë, e dinit që Enver Hoxha vuante nga diabeti?Jo në të vërtetë nuk e dija. Nuk kisha asnjë informatë për klinikën speciale dhe nuk më interesonte. Enver Hoxha u kurua nga diabeti që kur e zbuloi në vitin 1948 në Shqipëri, apo shkoi edhe jashtë?Ka shkuar edhe jashtë. Shkoi në Bashkimin Sovjetik, në Kremlin. Ishte zakon në atë kohë që herë pas here, udhëheqësit kur shkonin në Moskë, bënin një kontroll në klinikën e Kremlinit. Kjo sepse klinika jonë, ajo e quajtur “klinika speciale”, u ngrit pikërisht në modelin e klinikës sovjetike, e cila duhet të kujdesej në mënyrë specifike për anëtarët e Komitetit Qendror. Kur u krijua klinika speciale tek ne?Pasi u prishëm me Bashkimin Sovjetik, kam përshtypjen edhe në çekosllovaki. Një nga mjekët që e ka kuruar atje Enver Hoxhën, ka qenë Progrozhevski, një mjek shumë i mirë rus që aplikonte metodat e kohës. Por ka pasur edhe një infermiere të shkëlqyer, Kostandina Naumi, është e rrallë të kesh një infermiere me një përkushtim të tillë. Ajo e ndiqte në mënyrë rigoroze, pasi diabeti ka nevojë të monitorosh nivelin, shëndetin, ushqimin, çdo gjë e bënte kjo infermiere në mënyrë perfekte. Enver Hoxha, është konsultuar më shumë jashtë. Nuk di të ketë shkuar posaçërisht për mjekim.Por pas vitit 1964, kur ju shkuat në klinikën speciale Enver Hoxha, vijoi të kurohet vetëm në Shqipëri apo edhe jashtë?Po, vetëm në Shqipëri pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, ai me sa di nuk bëri asnjë udhëtim jashtë shtetit. Ka qenë edhe dëshirë e tij të kurohej këtu dhe është kuruar vetëm nga mjekët shqiptarë. Në të vërtetë, Enver Hoxha, nuk ka pasur një mjek personal, ka pasur profesor Fejzi Hoxhën që ishte konsulent i afërt. Diabeti i Enverit bëri që diabetologjia shqiptare, mori një hov pas kësaj në të mirë të pacientëve të tjerë kudo, jo vetëm në Bllokun e udhëheqjes.është përmendur shumë vizita e një mjeku francez, Poli Miljezit, që siç ishte mjek ishte dhe njeri publik në Francë. Ishte konsulent i Hoxhës, apo thjesht e vizitonte?Miljezi ka qenë një mjek konsulent i njohur i disa personaliteteve botërore. Ka qenë mjek me reputacion në Francë, për prestigjin që kishte. Ishte i dimensioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ishte konsulent i shumë krerëve të shteteve. Arsyeja pse u afrua me ne, nuk ishte specifike me Enver Hoxhën. Ishte i lidhur si mik i Shqipërisë, në ambasadë në fillim konsultoi Fiqirete Shehun dhe ishte më i lidhur me ta. Quhej njeri që kishte simpati për Shqipërinë dhe në këtë kontekst u bënë konsultime, konsultime për shtrimin e problemit apo të dosjes, por një gjë, ai asnjëherë nuk ka vënë stetoskopin për ta vizituar. Ai asnjëherë nuk e ka vizituar Enver Hoxhën. E ka takuar sigurisht, por nuk e ka vizituar, ndonëse ka qenë në dijeni të dosjes së tij. A mbahej sekret dosja e Enver Hoxhës?Për të gjithë mbahej sekret. Ishte madje një sekret i madh dhe ndaj, klinika speciale i ruante dosjet dhe ishte vetëm për këtë.Por kur qëllonte që konsultoheshit me jashtë, thoshit emrin e pacientit?Jo detyrimisht. Kur bën një konsultë pa pacientin, ti konsulton dosjen jo pacientin. Në këtë prizëm nuk është konsultuar, është konsultuar vetëm dosja. Një grup mjekësh kinezë merrej me shëndetin e Enver Hoxhës, a u atashuan ata pranë jush?Kjo ka qenë në një fazë kur ai pësoi infarkt në vitin 1973 dhe ishte kërkesa jonë. Enver Hoxha nuk ka pasur mjek personal në fillim dhe i pari mendoj se ka qenë Hektor Peçi, më pas unë. Kishte shumë mjek që kujdeseshin për të dhe jo personal, ai ka pasur dëshirë që mjekët të konsultoheshin me njëri-tjetrin. Unë pata fat të mirë dhe fat të keq. Fat të keq sepse menjëherë sapo unë vajta, diabeti shumëvjeçar i tij kishte filluar të jepte komplikacione, në vitin 73. Këto komplikacione, duheshin të parandaloheshin. Këto ishin dëmtime në sy, dëmtime në arterie, të cilat çuan në infarkt. Nuk kishte arritur grupi i tij t’ia mbante nën kontroll diabetin para se të vinit ju?Ishte i mbajtur nën kontroll në limitet që thashë se mbahet, nuk mund ta mbanin në mënyrë perfekt. Mjetet që përdornin, kokrrat etj, e mbanin nën një gjendje normale.Shkaku i infarktit të 1973 ishte diabeti, a ishte i rëndë ai? Infarkti ndodh edhe tek njerëz pa diabet. Ai infarkt si të gjithë të tjerët ishte i rëndë, që i kërcënoi dhe jetën. Nisur nga kjo u ngrit një ekip mjekësh me mandat nga shteti, të cilët duhet të monitoronin gjendjen e tij dhe të mos lejonin që ai të përsëritej. Prof. Ylli Popa, më ka thënë se ruajtja e tij ishte gati 24 orësh, nga ana e mjekut kardiolog?Kjo ndodhi kur situata erdhi e tillë. Situata përshkallëzohej nga viti në vit, ai pati edhe 12 vjet jetë pas infarktit dhe kjo nuk ishte e lehtë.U rikuperua tërësisht pas infarktit të 73-it?Plotësisht, ju e keni parë që ai ka qenë aktiv në punë gjithmonë dhe nuk e ka ndërprerë ndonjëherë punën. Në vitin 73, a qëndroi për një kohë të gjatë jashtë punës?Disa muaj qëndroi në regjim shtrati, por qëndronte herë në shtrat herë në dhomë.Ruhej me hermetizëm ky njoftim, që të mos dilte në publik?Sigurisht, nuk besoj se e dinte kush.Po grupi i mjekëve kinez, qëndroi gjatë apo u larguan?Qëndroi për aq kohë sa ishte akute situata dhe më pas ikën menjëherë.A ishte diabeti shkaku i vdekjes së Enver Hoxhës?Vdekja i erdhi nga zemra.A ishte një vdekje e cila erdhi pak nga pak, apo e menjëhershme?Përkeqësimi erdhi pak e nga pak. Momenti i vdekjes qe akut, ishte ndalimi i zemrës.Vdekja ka ndodhur ekzaktësisht në 11 prill apo më parë?Goditja ka ndodhur më datën 9, u mbajt disa ditë dhe vdekja ndodhi në 11.Në një dokumentar francez të shkurtër bëhej fjalë se ai nuk ka qenë në rregull, muajt e fundit të jetës së tij. Ndihej përkeqësimi në muajt e fundit?Nuk e kam parë këtë dokumentar. Por mendoj se vdekja e tij është e dokumentuar dhe për të është folur nga një grup mjekësh. Unë e kam shkruar që në perceptimin tim ai ka qenë i kthjellët deri në fund.Sa mjek kishte klinika speciale dhe me se merrej kryesisht?Në fillim ajo kishte një mjek, drejtorin. I dyti që është emëruar atje kam qenë unë dhe më pas, erdhi një mjek tjetër nga Spitali Ushtarak. Më pas u shtuan dhe dy të tjerë. Ka qenë një klinikë e vogël dhe mbeti e tillë deri në fund.Ju keni qenë koleg me kryeministrin aktual Sali Berisha. A ka qenë ai pjesë e grupit të mjekëve që kuronin Enver Hoxhën?Nuk ka qenë. Mund të ishte por nuk ka qenë. Unë do të dëshiroja të ishte, se ishte kardiolog i mirë.Tentuat ta fusnit në grup?Mesa di unë i është bërë një propozim, por nuk është miratuar nga strukturat e kohës. Për çfarë arsye?Nuk e di, nuk mund ta them këtë. Por di që nuk ka qenë në grup. Enver Hoxhës nuk i ka shërbyer. Merrej si konsulent në klinikën speciale?Po, sepse aty merrnin pjesë një sërë specialistësh. Por ai nuk ishte kuadër në këtë klinikë ishte konsulent. Vinte për raste të caktuara, për të konsultuar pacientë të caktuar. Përpjekja për ta futur në grupin e Enver Hoxhës, në cilin vit u bë?Nuk më kujtohet me saktësi, por ishte koha kur problematika e tij kardiake ishte tepër evidente. ç’marrëdhënie keni pasur me Sali Berishën në atë kohë?Ka qenë një koleg që e kam çmuar gjithmonë për energjinë, dinamizmin, sedrën profesionale. Ishte një mjek i mirë?Ishte jashtëzakonisht i apasionuar, i azhurnuar me literaturën, bëri ndryshime shumë të mëdha në katedrën ku vajti. Solli në kardiologji shumë prurje në drejtim të pajisjeve, kompjuterizimit. Mendoj se Saliu u bë shpejt një lider në katedrën e tij...Ju keni një libër që është 503 faqe “Mes ëndrrës shqiptare dhe realitetit evropian”. A mund të m’i shpjegoni këto të dyja dhe ku qëndron kontradikta?Nuk ka ndonjë kontradiktë, është çështje e evolucionit. Unë kam ndenjur 15 vjet në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kopenhagen dhe kam pasur kontakt me shërbimet shëndetësore perëndimore e me ekspertët më të mirë. Kjo të hap një dritare tjetër, sepse shëndetësia është një “oqean” i madh. ëndrra ishte që shëndetësia jonë të reformohej, të kapte kohën e humbur.Pse sot, është ndoshta ishulli i vetëm socialist mjekësia jonë?Perceptimet janë perceptime dhe çdokush e shikon në optikën e tij, por do të thosha se ajo po reformohet dhe aty kanë ndodhur reforma të mëdha. Të cilat ende nuk i kanë dhënë frytet, sepse ndodh si me themelet e ndërtesave.Cilat janë këto reforma?Shëndetësia jonë ka qenë shtetërore, sot është bërë private vendore dhe private e huaj. Në treg ke perspektivë. Evolucioni tjetër është krijimi i tregut shëndetësor, ka një pasuri mjetesh tashmë. Lëvizje tjetër është demokratizimi, liria, mjekët sot lëvizin nga fshati në qytet. Studiojnë brenda dhe jashtë, bëjnë disa profesione. Demokracia në shëndetësi është t’i japësh pushtet qytetarit, t’u japësh të drejta atyre. Cilësia e shërbimit është ende shumë e dobët...Edhe cilësia është percepsion sepse nuk matet dhe nuk është kërkuar kurrë. ëndrra ime është ta masë cilësinë, jo për kuriozitet por për të krahasuar, për të vendosur objektiva të qarta. Objekti është përmirësimi i cilësisë. Cilësia tek ne ende matet me opinion.Si matet cilësia?Ajo matet me standarde. Duhet që fillimisht të biem dakord për disa standarde matje. Matja bëhet kryesisht edhe me rezultat, por edhe me mjetet dhe kushtet. Këtu ende, si i miri dhe i keqi, vlerësohen njësoj. Duhet të maten njësoj edhe pjesa publike dhe private. Ne duhet të shkojmë tek akreditimi, i cili është një konfirmim zyrtar, që të jep ty besimin se ky institucion e bën atë që duhet, ashtu siç duhet. Pastaj e zgjidh ti, ku do të hysh. Ne jemi duke e zgjidhur këtë situatë, dhe së shpejti do të fillojmë t’i zbatojmë këto standarde. Ne do t’jua japim spitaleve dhe ato duhet t’i zbatojnë ose jo. Ne kemi zgjedhur që të marrim eksperiencat më të mira të standardeve dhe t’i përshtatim ato sipas nevojave tona. Standardi i parë është minimal, më pas ai normal dhe më pas ndoshta, ai i ekselencës. Kur do të bëhet kjo?Standardet janë gati dhe e them me mburrje, sepse shumë vende nuk i kanë ende. Ministria i ka aprovuar dhe ne po përgatisim mjekët në të gjitha rrethet dhe po i trajnojmë sesi duhet bërë kjo matje. Edhe vlerësimi do të bëhet me një grup tjetër, që po kështu po trajnohet.Kur mund të jepen rezultatet e para?Nëse gjithçka shkon mirë nga ana administrative, procedurale, pasi duhet akoma një vendim i Këshillit të Ministrave. Po të marrim kushtet normale?Që vitin e ardhshëm. Pra që vitin e ardhshëm një pacient nuk do të pyes më shokun, kushëririn, mikun, se ku duhet të shkojnë, por do të ketë disa standarde që duhet të zgjedhë vetë?Jo, mos të nxitohemi. Që vitin e ardhshëm do të fillojë procesi, që spitalet do të vijnë të thotë që unë dua të akreditohem, do të fillojë të lexojë pyetjet, ne do t’i lemë një vit kohë, gjashtë muaj që të përgatitet për to. Pasi nuk bëhet fjala për një fushatë, por për ndryshim rrënjësor nga brenda. Pra do të dimë se cili spital i plotëson këto kushte më mirë?Unë besoj që pas një viti. Kemi arritur një gjë të madhe, në ligjin për kujdesin shëndetësor është vënë një nen, që i detyron të gjithë institucionet publike e private, vendore dhe të huaj që operojnë në Shqipëri, t’i nënshtrohen këtij procesi. Edhe një gjë dua të them, nëse ky proces do të shkojë shumë mirë, kjo hap një perspektivë tjetër për shëndetësinë tonë, pasi ka një vendim të Bashkimit Evropian, lëvizja e pacientëve në të gjithë botën, në shumë vende ka radhë pritje për të bërë një heqje guri. Sallat tona janë të pashfrytëzuara, kjo mund të hapë turizmin medikal. Keni parë se çfarë ka ndodhur me dentistët, të gjithë emigrantët vijnë këtu, kjo gjë mund të ndodhë për shumë gjëra të tjera nëse spitalet janë të akredituara komfort rregullave. Unë e kuptoj që në mjekësinë private, pasi të bëhet akreditimi sipas jush, ai spital që do të ketë më shumë pikë, që do të ketë nivel më të mirë cilësie, do të kërkojë dhe pagesë më të madhe. Po në mjekësinë publike, në spitalet publike, një spital që është më i plotësuar se sa tjetri, çfarë diference do të ketë nga ai, që do t’i plotësojë vetëm kushtet minimale?Diferenca është se ne ramë dakord me ISHK-në, i cili do të jetë blerësi i vetëm i shërbimeve. Pra ne të gjithë ia japim ISHK, instituti do të blejë me preferencë tek ato që janë akredituar dhe ato që janë akredituar do të kenë mundësinë të përfitojnë një 5% bonos në financim, në krahasim me ato që nuk akreditohen. Të gjithë ata që janë akredituar. Po një që është akredituar dhe ka standarde bazike me një që i ka standarde të larta?Në stadin e parë ne do t’i ndajmë në dy, e more nuk e more provimin. është si fëmijët që nuk kanë nota.Një spital publik e ka marrë akreditimin, një tjetër nuk i plotëson kushtet. A do të jenë mjekët të paguar njësoj?Nuk besoj se do të paguhen njësoj, pasi këta do të marrin 5%. Po do të paguhen 5% më shumë...Këtu problemi nuk është tek 5%, është tek imazhi i spitalit, këtu do të ketë fluks më të madh pacientësh, ne do t’ia lemë tregut t’i rregullojë. Duke pasur fluks më të madh pacientësh, çfarë do të përfitojë më shumë ky spital?Pasi ata do të përdorin, do të bëhen autonom, të ardhurat suplementare... Pra duket sikur s’ka ndodhur gjë tek ne, kjo është një reformë shumë thelbësore në krahasim me mënyrën se si financohesh përpara, që jepesh një fond dhe thoshe që këtë ke gjithë vitin, bjer faturat dhe asgjë s’ndryshohet. Pra ka një ndryshim thelbësor.Do të shoqërohet me një lloj autonomie financiare...është vendosur, por ende nuk është vënë në zbatim, si dy mekanizma. Mekanizmi i tretë që nuk thashë, i reformës që ka nisur në fakt, është që ne nuk vlerësojmë se akreditohen institucionet, por nuk akreditohet personi, doktori. Atëherë çfarë bëhet me kualifikimin e njerëzve që marrin një diplomë dhe flenë me atë tërë jetën, pasi kështu ka qenë tërë jetën. është krijuar një institut i edukimit të vazhdueshëm profesional, që në çdo 5 vjet, mjekët të ricertifikohen pra të marrin disa kreditë. Pra këta do të jenë të detyruar të futen nëpër kurse, në kualifikime, në konferenca dhe për çdo aktivitet të këtillë do të kalojnë në filtrin e këtij instituti, që të thotë se është i vlefshëm dhe sa pikë merr. Pra do të thotë të vendosim paralel institucionin dhe personin, mekanizmin financiar dhe vijmë tek mekanizmi i fundit, që është më i fuqishmi. është lëvizja qytetare, fuqizimi i pacientëve, vendosja e tyre në qendër është trendi më modern i sistemeve të sotme. Domethënë, që pacientët të kenë të drejtë për të marrë pjesë në menaxhim, për të kërkuar llogari për informacion...Mund të realizohet?Qendra jonë e ka filluar, së shpejti me Ministrin e Shëndetësisë do të bëhet më datë 16, do të bëhet diskutimi për kartën shqiptare të të drejtave të pacientëve, në frymën e asaj evropiane. Kjo do të bëjë që pacientët të organizohen dhe të kenë një zë. Ne kemi hyrë në Evropian Helth Consumer Index, është një lëvizje evropiane ku pranoheshin vendet e BE, për herë të parë u pranua Shqipëria, ne thamë le të listohemi të fundit, por mjafton të jemi. Nuk dolëm të fundit, dolëm të 30-tët nga 33 që ishin. Por, aty kur matet ky indeks, e para është të drejtat e pacientit ekzistojnë dhe si zbatohen ato. Kjo do të bëhet në dy drejtime, nga pacientët dhe qytetarët vetë, nga mjekët dhe te institucionet vetë. Pasi vetëm konsumator që është kërkuar, që është oponent, vetëm ai të detyron që ta përmirësojë, ama i organizuar dhe jo në mënyrë individuale siç the ti, sepse kështu u krijojnë fabula skandalistike, siç po ndodh.Ju keni punuar në OBSH, në ç’nivel është mjekësia shqiptare në raport me këto vende të tjera. Jemi ndër mjekësitë më të prapambetura të Evropës, apo këto janë fenomene që ndodhin në të gjithë mjekësitë e tjera?Zyra e Kopenhagenit në Evropë mbulon 51 shtete të Evropës, pra nuk kanë pasur vetëm vende lindore, por edhe perëndimore. ç’është e vërteta, edhe këto të Evropës qendrore kanë pasur të njëjtin model, unë isha në Kosovë, nuk ka ndonjë sistem të ri, ka trashëguar atë nga ish-Jugosllavia, është njësoj siç e kemi pasur ne në vitet ’60. është vertikal, i planifikuar, pa asgjë. Diferenca bëhej në këtë që fondet për aparatura ishin shumë më të mëdha. Javën e fundit isha në Kongresin Botëror të Federatës Botërore të Diabetit, u bë 20-vjetori në Kanada, më bëri përshtypje një gjë, që e gjithë bota shkencore dominohet nga artikuj dhe referate që vijnë nga perëndimi. Gjithë bota lindore është e heshtur. është një prapambetje, kanë potencial njerëzor, por ka munguar metodologjia, ka munguar sharmi i shkencës, ka munguar inspiracioni. Shkencërisht e gjithë bota lindore është jo prezent.Në 15 vjet që ju keni punuar në OBSH, fenomeni i mitmarrjes, apo ryshfetit që mjeku merr nga pacienti, ekziston edhe në vendet e tjera të botës?është një diferencë, që në ish vendet e Bashkimit Sovjetik, ryshfeti ka qenë i legalizuar, nuk ka qenë për të dhënë një bakshish, nuk ka quajtur si fenomen negativ, kudo mjekët që kam parë unë, kanë jetuar dhjetëra herë më mirë se sa kemi jetuar ne në Shqipëri. Fenomeni i ryshfetit, ekziston ende në Perëndim?Jo, absolutisht.Në Shqipëri është shqetësues ky fenomen?është shqetësues, në shumë plane, etike, njerëzore. Ky problem do parë me gjakftohtësi, se është një moment i rimodelimit të marrëdhënieve të popullsisë me popullatën. Problemi është që rrogat e mjekëve kanë qenë jashtëzakonisht të vogla. Mjekësia në të vërtetë ka vetë faj, se ne duke trashëguar modelin e vjetër, s’kemi ditur se sa është vlera jonë e punës. Ne s’dimë se sa kushton një operacion sot e kësaj dite. Në mjekësi paraja ka qenë turp, por sot është bërë dominante, sot shëndetësia jonë është gjendur pa menaxher të mirëfilltë financiar, pa ditur produktivitetin. Kjo marrëveshje spontane midis njerëzve dhe mjekëve, në një farë mënyrë ka evituar që të braktisen nga profesioni mjekësor në fazën e parë në Shqipëri, sepse do të kishin një eksod të bluzave të bardha që mund të shkonin të shisnin banane e të bëheshin taksist, se merrnin 10-fish më shumë se sa ajo rrugë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›