E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Tiranë i kërkuari për drogë

 TIRANE - Një person i shumëkërkuar nga Policia e Beratit, është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga oficerët e Seksionit të Kërkimit në Tiranë. Burime nga policia thanë se bëhet fjalë për Mustafa Vengën, i akuzuar për trafik droge. I arrestuari është dënuar me vendim të formës së prerë, dy vite më parë nga Gjykata e Beratit, me 5 vjet burg, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Mësohet se Venga ishte në ndjekje prej disa javësh në kryeqytet, pasi policia kishte informacione se ai strehohej tek disa të afërm të tij. Pasi është mbajtur në vëzhgim disa ditë me radhë nga oficerët e kërkimit të Tiranës, por edhe nga informacionet e mbledhura në rrugë operative, është bërë i mundur arrestimi i tij mbrëmjen e djeshme, jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, teksa lëvizte në këmbë. Prej më shumë se dy vitesh, Venga kishte mundur t’i shpëtonte prangave të policisë, duke lëvizur në disa qytete të ndryshme të vendit, por kohët e fundit mësohet se ka qëndruar në Tiranë. Policia tha se strehimi i të kërkuarit në kryeqytet ka ardhur pas dështimit të disa tentativave që ai ka bërë për t’u arratisur jashtë kufijve të Shqipërisë. Mësohet se ai ka tentuar të paktën dy herë që të largohet nga pika e kalimit kufitar me Kosovën dhe me Greqinë, por nuk kishte arritur. Menjëherë pas arrestimit të tij, është vënë në dijeni edhe Policia e Beratit dhe pritet transferimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›