Ligji i ri, Berisha:Tokat që lihen djerrë do t’i sekuestrohen pronarit nga komuna
BLEDAR HOTI
Kush nuk e punon tokën, shteti do t’ia marrë, duke ia dhënë dikujt tjetri. Ky pritet të jetë ligji i ri i qeverisë, i cili në thelb synon mos lënien djerrë të tokës, duke ia dhënë atë “atij që e punon”. Kryeministri Sali Berisha ka bërë prezent në mbledhjen e djeshme të qeverisë iniciativën më të re për penalizuar ato bujq që nuk e punojnë tokën që e kanë në pronësi të tyre. Kryeministri tha se “qeveria do të adaptojë një qëndrim të ri ndaj tokës së papunuar. Ministria e Bujqësisë do të përgatisë projektligjin që vendos kalimin e tokës së papunuar në fondin e komunës dhe dhënien e saj me të dhjetë”. “Toka e papunuar është një dëm i rëndë i interesit publik për vendin. Shqipëria është një vend me pak tokë, është një vend malor dhe zonat malore që përbëjnë dhe 2/3 e territorit të saj kanë probleme shumë të mëdha. Ndërkohë ka zona të tjera, ku gjeni të mbjellë çdo metër katror. Unë frymëzohem kur shoh përpjekjet e tyre për të mbjellë edhe mikroparcela, në mënyrë që të mund të mbijetojnë, ndërkohë në zona të tjera të ultësirës bregdetare dhe jo vetëm të saj, ka mijëra hektarë që nuk punohen”, tha Berisha. Këtë tokë, sipas kreut të Qeverisë, “e kemi ndarë me ligjin 7501, një ligj që është bazuar në parimin ‘toka atij që e punon’ dhe ‘atij që jeton aty’. Unë nuk them se do t’i marrim tokën atij që ia kemi dhënë me ligj e do t’ia japin dikujt tjetër, por kjo tokë do të kalojë në fondin e komunës dhe mbi bazën e ligjit do të jetë e detyruar ta japë me të dhjetë”. “E dhjeta është taksa e librave të shenjta, taksa më e lashtë e të gjitha kohërave, më e drejta dhe më e ndershmja. Ndaj, duke e kaluar në fondin e komunës, kjo e fundit do të ketë të drejtë t’ia japë dikujt tjetër për ta shfrytëzuar dhe pronarit, që i ka kthyer shpinën tokës, t’i paguajë të dhjetën. Nuk mund të lëmë as edhe një metër tokë të papunuar në vend”, deklaroi Berisha. Ai i kërkoi Ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana, që projektligji të paraqitet brenda muajit gusht në qeveri, në mënyrë që t’i jepet fund situatës së papranueshme me tokat e papunuara. Ligji, saktësoi më tej Kryeministri, do të përcaktojë të gjitha procedurat e dhënies me të dhjeta të tokës, të cilat do të jenë transparente, me opsion të hapur dhe me projekte. Për qeverinë këto probleme janë vënë re në ultësirën perëndimore, ku dhjetëra e qindra hektarë tokë lihen pa u punuar, djerrë.
Ligji i ri, mund të blejnë tokë edhe të huajt me origjinë shqiptare
Kryeministri Berisha i ka kërkuar dje Ministrisë së Bujqësisë që brenda këtij muaji të çojë në qeveri për të miratuar ligjin që u jep mundësi shtetasve me kombësi shqiptare të blejnë truall në Shqipëri. Në mbledhjen e radhës së qeverisë, kreu i ekzekutivit tha se qytetarët me kombësi shqiptare, kudo që ndodhen do të kenë të njëjtat mundësi si qytetarët vendas për të blerë troje. “Dua të sjell një problem shumë të rëndësishëm në vëmendjen e Ministrisë së Bujqësisë. Kjo ministri duhet që brenda muajit gusht të sjellë në qeveri ligjin për shitjen e tokës në të gjitha format, për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare, nga Australia në Norvegji, kudo që të jenë ata. Toka në Shqipëri shitet për truall, por nuk shitet për qëllime të tjera”, theksoi Berisha. Sipas tij: “do të përdoren të dyja format, diku kombësia dhe diku origjina, sepse ka vende të cilat njehsojnë kombësinë me shtetësinë dhe kjo i përjashton. Ndaj duhet që ligji të përgatitet me kujdesin më të madh, në mënyrë që çdo shtetas që ka nënën ose babanë shqiptar, që ka origjinë shqiptare, do të kërkoja që të mos ndiqnim vetëm linjën nga babai, por të pranojmë edhe atë të nënës, të kenë të drejtë të blejnë tokë në Shqipëri”. Kreu i ekzekutivit u shpreh se brenda një kohe të shkurtër do të krijohet kuadri ligjor që edhe qytetarët e Bashkimit Evropian të kenë mundësi të blejnë troje në Shqipëri. Ky vendim sipas Berishës vjen për faktin se në vende të ndryshme kërkohet që të merret shtetësia e atij vendi, çka automatikisht sipas ligjeve aktuale në Shqipëri përjashton qytetarët me kombësi shqiptare, por që kanë lënë shtetësinë, të mos kenë mundësi të blejnë tokë në Shqipëri. Duke iu drejtuar ministrit Alibeaj Berisha tha se “Shqiptarët do të jenë një, në trajtimin e problemit të pronësisë në këtë vend. Procedura do të jetë identike si për qytetarët me shtetësi shqiptare, nuk do të ketë asnjë procedurë shtesë, vetëm një trajtim të barabartë”.