E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, rishikohet lista

 

adi shkembi

Qeveria nis korrigjimin shumave të përfituara nga ish të përndjekurit politikë, për të cilat kanë rezultuar gabime në llogaritjen e tyre. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë është shqyrtuar një projektvendim i propozuar nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj lidhur me korrigjimin e masës përfundimtare të dëmshpërblimit financiar të miratuar në mbledhjen e 29 dhjetorit të vitit të kaluar.
Vendimi
Në vendimin e djeshëm pesë qytetarëve u është ndryshuar dëmshpërblimi, që do të përfitojnë nga vitet e burgut që kanë kryer. Sipas relacionit të paraqitur nga ministri Alibeaj pas miratimit të vendimit në fund të vitit të kaluar kanë ardhur rezultate të verifikimeve financiare. “Pranë Ministrisë së Drejtësisë, edhe pas datës së miratimit të vendimit kanë vazhduar të paraqiten nga Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, rezultate të verifikimeve financiare, me masë të zbritshme dëmshpërblimi, të ndryshme nga rezultatet e sjella paraprakisht në hartimin e listës. Gjithashtu, edhe nga verifikimet e kryera nga punonjësit përgjegjës për shqyrtimin administrativ të dosjeve, u konstatuan gabime materiale në përllogaritjen e shumave financiare”, thuhet në relacionin e ministrit të Drejtësisë. Ministri Alibeaj ka sqaruar gjithashtu se ministri i Financave, Ridvan Bode, drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Ilir Proko dhe kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë paraqitur konfirmimet e tyre të shoqëruara edhe me lista mbi gabimet e evidentuara dhe të dhënat e sakta që ato dispononin. “Duke qenë se Ministria e Financave edhe pas paraqitjes së mendimit të me shkresën nr. 4506/1, datë 25.05.2009, vazhdonte të paraqiste përgjigje individuale mbi emrat e përfshira në VKM nr. 1699, datë 29.12.2008, të cilat ishin të ndryshme nga të dhënat e paraqitura në listat e grupuara nr. 11218/902, datë 29.12.2008, nr. 11218/908 datë 30.01.2009 dhe nr. 11218/909, datë 30.01.2009. Në këto kushte Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Financave rikonfirmimin përfundimtar të korrigjimeve të gabimeve materiale të VKM nr. 1699, brenda datës 24.07.2009”, thekson Alibeaj. Megjithatë sipas tij: “Ministria e Financave ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese, megjithëse është vënë në dijeni mbi paraqitjen për shqyrtim në këshillin e ministrave të këtij projektvendimi ndryshues, pasi emrat e përfshirë në këtë listë ende nuk kanë përfituar të drejtën e tyre legjitime për përfitimin e dëmshpërblimit financiar për shkak të gabimeve materiale të konstatuara në shumat financiare përkatëse”. Në mbledhjen e qeverisë të 29 dhjetorit, e cila ishte e fundit për vitin e kaluar, u miratua vendimi i parë për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Në atë mbledhje u dha OK për 1100 ish të dënuar dhe të përndjekur politikë, të cilët do të përfitojnë 2 miliardë lekë, ose 20 milionë dollarë. “Kjo mbledhje është thirrur sepse janë disa vendime shumë të rëndësishme dhe ligje kryesore për t`u miratuar, por unë do të ndalem në njërin prej tyre: vendimin për miratimin e listës së 1100 të përndjekurve politikë, me të cilët nis dëmshpërblimi me një vlerë totale prej 2 miliardë lekësh”, u shpreh Kryeministri Berisha në atë mbledhje.

Ndryshimet

Nr rendor 90, z. Leonidha Viktor Kume me nr. dosje 368, datë 07.02.2008 vlera e saktë e të cilit duhet të jete 1.566.748 lekë

Nr rendor 136 z. Tom Pjetër Huli me nr. dosje 597, datë 12.02.2008, vlera e saktë e të cilit duhet të jetë 1.422.000 lekë

Nr rendor 212, Lili (Ilir) Maj Çomo me nr. dosje 889, datë 15.02.2008, vlera e saktë e të cilit duhet të jetë 987.410 lekë

Nr rendor 250, Marko Koli Laçka me nr. dosje 1183, datë 19.02.2008, vlera e saktë e të cilit duhet të jetë 1.141.738 lekë

Nr rendor 711, Gjon Ndue Perjaku me nr. dosje 4512, datë 22.03.2008, vlera e saktë e të cilit duhet të jetë 1.196.000 lekë

Tani aplikim edhe përmes internetit
Për të bërë të mundur lehtësimin e procedurave për përfitimin e dëmshpërblimit për të përndjekurit politikë, Ministria e Drejtësisë ndërmori nismën për aplikim përmes internetit. Kjo nismë bëhet pikërisht për pajisjen e plotë të kësaj shtrese me formularët e vetëdeklarimit të ish të përndjekurve. Sipas shërbimit të ofruar, formularët mund të shkarkohen nga Arkiva Elektronike e Çështjeve të Dëmshpërblimit të ish të dënuarve politikë dhe më pas të dërgohen të plotësuara nëpërmjet postës në Ministrinë e Drejtësisë. Shërbimi i ri është vënë në funksion për shkak të vështirësive të hasura nga Posta Shqiptare në gjetjen e adresave të disa prej ish të përndjekurve që duhet të njoftohen nga ministria.

Dëmshpërblimi, pak ditë pas zgjedhjeve

Në mbledhjen e parë të Qeverisë pas zgjedhjeve të 28 qershorit u miratua lista e tretë me emrat e të përndjekurve, që do të përfitojnë dëmshpërblim për vitet e burgut dhe internimit. Sipas vendimit, masa e dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë dhe familjarët e të dënuarve, me dënim kapital, do të bëhet me këste, të cilat janë jo më shumë se 1/8 e masës së dëmshpërblimit. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë”. Ministria e Financave ka zgjedhur “Alpha Bank”, “Raiffeisen Bank”, “Banka Popullore”, “Banka Kombëtare Greke”, BKT, “Tirana Bank”, “Union Bank”, “Banka Ndërkombëtare Tregtare”, si banka ku mund të tërhiqen paratë. Sipas Financave, “me hapjen e llogarisë personat do të depozitojnë fizikisht në degët e thesarit të çdo dege vërtetimin/konfirmimin për Emër, Atësi, Mbiemër dhe nr. e llogarisë në formë të shkruar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›