Historia e negocimit të ish-presidentit Klinton
Dy gazetaret amerikane që u liruan nga Koreja Veriore pas disa muajsh burg (dhe një dënim prej 12 vitesh punë të detyruar), u kthyen në Shtetet e Bashkuara të shoqëruara nga ish-presidenti amerikan, Bill Klinton. Laura Ling, 32 vjeçe dhe Euna Li, 36 mbërritën në mëngjesin e djeshëm në aeroportin e Los Anxhelosit me një avion privat. Sipas CNN, gjatë një telefonate me familjet e tyre në mes të korrikut, gazetaret iu kishin thënë të afërmve se kishin dëgjuar nga koreano-veriorët se ata do t’i jepnin amnisti në rast se një i dërguar si ish-Presidenti Klinton do të shkonte në Ponijang për të siguruar lirimin e tyre. Gjatë 24 dhe 25 korrikut, Klinton ka diskutuar me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, gjeneralin Jim Jones për vullnetin e tij për të marrë pjesë në këtë mision. Klinton ra dakord por e bëri të qartë se kjo ishte thjesht për arsye humanitare. Bill Klinton dhe shoqëruesit e tij zhvilluan nj takim që zgjati një orë e 15 minuta me Presidentin Kim Jong Il, dhe më pas drekuan në rreth dy orë. Askush nuk dëshiron të komentojë nëse ish presidenti Klinton diskutoi mekim Jon Il çështjet e armatimit nuklear. Ish-zv/presidenti Al Gore ishte i përfshirë në bisedime që nga fillimi, duke komunikuar shpesh me familjet e gazetareve dhe administratën Obama. Presidenti Obama u telefonoi prindërve të dy gazetareve rreth orës nëntë të mbrëmjes së të martës për t’i uruar ata. Të dyja gazetaret ishin të lehtësuara dhe gëzonin shëndet të mirë.