Miqtë e Enverit në 1982: Pse e vratë Mehmet Shehun
Afrim Imaj
Të zënë në befasi nga lajmi për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, miqtë e Enver Hoxhës e të Partisë së Punës nxituan të marrin kontakte me autoritetet e Tiranës për të mësuar të vërtetën lidhur me fatin e kryeministrit shqiptar. Me aq sa sqaronte propaganda komuniste, për ta ishte e pamjaftueshme, madje në shumë raste argumentet kundërshtonin njëri-tjetrin. Amullia nga shpjegimet e mjegullta për vetëflijimin e kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë komuniste, i bënte të huajt, sidomos miqtë e lidershipit të asaj periudhe sa dyshues aq dhe këmbëngulës për të shkuar tek e vërteta që nuk u zbardh asnjëherë. “Çfarë ndodhi natën e 17 dhjetorit në Tiranë?” “E vranë apo vrau veten?” “Ç’thotë Enveri për tragjedinë e Mehmetit” “Pse flitet shkurt për vdekjen e kryeministrit”. Këto dhe të tjera dilema që vinin nga miqtë e lëvizjes komuniste, për të cilat lidershipi i Tiranës më shumë përpëlitej se rrëfehej, krijuan një situatë të nderë që vinte në dyshim vet kauzën e Enver Hoxhës. Në ditarin e Agim Popës janë pasqyruar debatet e shumta rreth enigmës së vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Pjesa më e madhe e aleatëve të komunistëve shqiptar, nuk e kapërdiu lajmin e dyshimtë dhe shprehu rezerva qysh në çastet e para për mënyrën si u eliminua kryeministri Shehu. Madje, siç vërehet në shënimet e profesor Popës kishte ndër miqtë e Enverit, që kërkonin në një farë mënyre llogari pse ai ishte vrarë pabesisht!...
27.11.1982
Telefonatë nga Vjena nr. 1814
Piter Placman i Partisë Komuniste të RFGJ në takim me shokun E. Koloneci ngriti këto gjëra: “Na duket e pabesueshme që për 40 vjet mos të zbulohet tradhtari Mehmet Shehu. Ca më shumë që nuk jepen hollësira për aktivitetin e tij në shërbim të zbulimeve të huaja. Vetëm me aq sa deklaron shoku Enver e kemi shumë të vështirë ta besojmë këtë gjë. Stalini dhe Maua kur zbulonin elementë të tillë jepnin hollësira deri në detaje, në rastin e Mehmet Shehut nuk ka ndodhur kështu. Pse?...”
Piter, ky mik i shqiptarëve
Piter Placman, rrëfen profesor Popa, ishte një nga miqtë e veçantë të Enverit dhe admirues i pasionuar i traditave shqiptare. Në epokën e komunizmit, mbaj mënd që ndihmonte për të sjellë nga jashtë medikamente mjekësore, sidomos nga ato që gjendeshin rrallë në tregun tonë. Lidhjet e tij me Shqipërinë i vazhdoi edhe në vitet e demokracisë, madje mund të them se është një shqiptar i mirë. Ka bërë një shtëpi në Dardhë të Korçë dhe pjesën më të madhe të kohës jeton aty, ndërkohë që në Tiranë ushtron biznesin e tij farmaceutik. Me Piterin jam takuar disa herë pas viteve ‘90, vijon profesor Popa dhe sa kujtojmë historinë e Mehmet Shehut, ai më thotë se i ka mbetur enigmë mënyra si u vetëflijua kryeministri komunist. Ai ende e ka vështirë ta besojë variantin e vetëvrasjes.
30.12.1982
Telefonatë nga Stokholmi, nr. 1430
Anders Persen shfaq rezervat e para pas leximit të librit “Titistët”. Si shpjegohet që shumë dokumentet u gjendën në kasafortën e Mehmet Shehut pas vetëvrasjes? Budalla ishte ai që i la në kasafortë? Kur jugosllavët i vinin detyrë M. Shehut të likuidonte Enver Hoxhën si ishte e mundur ta udhëzonin të bënte veprime të tilla, që pastaj KQ ta dënonte, kur dihet se kjo do ta privonte nga mundësia për të kryer vrasjen? Ajo që ne kërkojmë të dimë ka të bëjë me shpjegimin pse e vranë Mehmet Shehun? Këtu diçka fshihet jo pa qëllim...
22. korrik 1983
“Vanguardia Obrera” nr. 426
Boton artikullin “Albania 40 vjetori i ushtrisë popullore”. Në të është vendosur një pikturë ku paraqitet Mehmet Shehu duke u folur partizanëve. (Është piktura e Fatmir Haxhiut “Skroskë shkurt 1944”) Në të flitet vetëm për tre ngjarje konkrete. Formimi i Brigadës së Parë Sulmuese, formimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe çlirimi i vendit. Konkretisht thuhet: “Më 20 qershor të vitit ‘43 KQ i PKSH dha direktivën për krijimin e Brigadës së Parë dhe në korrik u formua Shtabi i Përgjithshëm…
21.11.1983
Telefon nga Berlini
Në një film koktej për anëtarët e shoqatës së miqësisë me Shqipërinë për Berlinin Perëndimor, u bënë edhe këto pyetje e u shfaqën edhe këto mendime:
1.Alfred Prens u interesua të dinte se çfarë përmirësimesh ndjeheshin tani në Shqipëri pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Ndërkaq, shtoi se ka vënë re që në Shqipëri njerëzit që takohen me të huajt, në krahasim me vitin ‘79, flasin më lirshëm edhe për të metat e Shqipërisë dhe jo vetëm për sukseset. Pra, nuk janë sektarë. Kjo mbase vjen ngaqë nuk ndrydhen më nën urdhrat e M. Shehut si më parë. Ai u interesua të dinte nëse kishin përfituar nga amnistia viktimat e Mehmet Shehut dhe a ishin bërë rehabilitimet e të goditurve prej tij. Po kështu Prens tregoi interes të dinte se si diskutojnë njerëzit tani për klikën e Mehmet Shehut, a ka pyetje, a ka qartësi për tradhtinë e tij dhe çfarë formash përdoren për t’i sqaruar e bindur.
2. Kryetarja e shoqatës Klaudia Luks u shpreh se pse partia e Shqipërisë nuk mori masa ndaj Mehmet Shehut kur Sokrat Bufi njoftoi se ai ishte spiun dhe si është e mundur që njeriu numër 2 në Shqipëri nuk pati mundësi t’i bëjë Sokrat Bufit, i cili qëndroi në poste të rëndësishme. Si Sokrat Bufi a ka pasur të tjerë, që kanë kundërshtuar dhe e kanë njohur si të tillë Mehmet Shehun? Na thoni me emra konkretë..
3. Anëtari i shoqatës Alfred Kip me zë të lartë tha: “Në Shqipëri ishte një Mehmet Shehu më parë, tani është një Mehmet Shehu tjetër. Ai pati interesim të dinte nëse ishte shpallur apo jo zyrtarisht ekzekutimi i tre ministrave të grupit të Mehmet Shehut (Është fjala për Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Nesti Nasen). Kludia tha se në shtypin perëndimor është shkruar se është zhvilluar gjyqi kundër bandës së Mehmet Shehut dhe aktualisht janë dhënë dënimet, ndër ta tre veta ish-ministra janë ekzekutuar.
Pra, në shoqatë akoma ka diskutime e “paqartësi” për çështjen e M.Shehut
“Mehmeti nuk u takua me Titon në “Queen Elizabeth”
“Asgjë nuk është e vërtetë në akuzën se Mehmet Shehu u takua me Titon dhe Fullzin në anijen britanike “Queen Elizabeth” . Profesor Agim Popa ish drejtori i drejtorisë së Jashtme në KQ është i pari nga zyrtarët shqiptar që hedh poshtë alibinë e një takimi agjenturor të ish kryeministrit komunist gjatë udhëtimit për në Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vjeshtën e vitit 60. Në “Tablonë sinoptike” të Enver Hoxhës, ku Mehmet Shehu shpallej poliagjent e tradhtar, takimi me Titon në “Queen Elizabeth”, pretendohej si argumenti më i fortë i akuzës. Për të qenë sa më bindës në artikulimet e tij, kreu i lidershipit komunist kryqëzoi gati të gjithë shpurën e pjesëtarëve të delegacionit, që mori pjesë në mbledhjen e OKB në qershorin e vitit ‘60. Madje, këmbënguli me forcë për të siguruar dëshmi të pakontestueshme prej tyre për takimin e Mehmet Shehut me Titon gjatë udhëtimit për në Nju Jork me transoqeanikun e Mbretërisë së Anglisë. Për një kohë të gjatë opinioni e vlerësoi të mirëqenë dhe i besoi pa e vënë në mëdyshje akuzën në adresë të kryeministrit të hekurt, pavarësisht rrethanave në të cilat ai kryqëzohej pas vdekjes. Në rrëfimin për gazetën “Panorama” profesor Popa ish përkthyesi i Mehmet Shehut në Asamblenë e OKB-së dëshmonë qartazi se nuk ka patur asnjë takim të ish kryeministrit me Titon. Më tej në intervistën e tij Popa shpjegon pse u zgjodh anija britanike për të udhëtuar për në Nju Jork kur kishte dhe mundësi të tjera. Kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit, që mori pjesë në punimet e OKB-së dhe në cilat kushte disa syresh u detyruan të gënjejnë. Si është përjetuar nga dëshmitarët ngjarja e bujshme gjatë fushatës për goditjen e veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut dhe pse nuk është zbardhur më parë e vërteta e udhëtimit të shumëpërfolur.
Vizitat e bujshme të Hrushovit, Çu En Lait dhe Sihanukut në Tiranë
Tre liderët e preferuar të Shqipërisë komuniste
Tito, udhëheqësi i ish-federatës së Jugosllavisë, ishte miku i parë i Shqipërisë komuniste, miqësia me të cilin zgjati vetëm pak vite. Burri i shtetit më i preferuar për Tiranën pas tij u bë Nikida Hrushovi lideri kryesor i Bashkimit Sovjetik, për t’ia lënë vendin Çu En Lait kryeministrit të Kinës dhe mbretit të Kamboxhios Samde Norodom Sihanuk. Në kujtimet dhe ditarin e profesor Agim Popës, ish-funksionarit të Komitetit Qendror janë fiksuar momentet më të rëndësishme të miqësisë me këta tre burra shteti, të cilët e vizituan vendin tonë në vite të ndryshme...
Hrushovi
Nikida Hrushovi u bë miku më i ngushtë i Enverit, fill pas vdekjes së Stalinit. Për vite me radhë dy liderët komunistë përjetuan marrëdhënie shumë të afërta. Goditjen e parë miqësia e ngushtë e mori në Kongresin e XX të PK të BS, ku kreu i Shqipërisë shfaqi rezervat e para për strategjinë e Kremlinit në emër të kauzës dhe revolucionit. Në takimin e Bukureshtit që u bë në vazhdim Enver Hoxha doli hapur kundër politikës së Kremlinit. Ndërkaq, në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë u kristalizua divorci i pakthyeshëm. Sidoqoftë, siç pohon profesor Popa, raportet dhe miqësia e Enverit me Hrushovin ka lënë prapa një histori interesante. Sipas tij, veçanërisht vizita e kreut të BS në vendin tonë në maj ‘59, ka qenë një moment kulminant në tërë biografinë e raporteve Moskë-Tiranë. Ndërkaq, profesor Popa në ditar ka fiksuar me saktësi çastet kur u përligj divorci i madh. Ka qenë data 25 nëntor 1961, kur Hrushovi njoftoi zyrtarisht për heqjen e ambasadorit sovjetik nga Shqipëria. Në 3 dhjetor 1961 qeveria sovjetike komunikoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, duke mbyllur ambasadën shqiptare në Moskë. Njëherazi me personelin e saj u dëbuan menjëherë për në Shqipëri edhe 1500 studentë, që ndodheshin për kualifikim në BS. Ish-zyrtari i KQ shprehet se lidershipi i Tiranës e vlerësoi këtë si një akt armiqësor të qeverisë sovjetike dhe të Hrushovit, të cilin e etiketonte tradhtarin më të madh të idealeve komuniste dhe të revolucionit proletar...
Çu En Lai
Teksa Tirana zyrtare sulmonte me tërë arsenalin e vet tradhtinë e Hrushovit dhe BS, në sfond shfaqej një miqësi e re. “Investimi” i Enver Hoxhës për “krushqinë” me Kinën e largët, sipas profesor Popës kishte nisur më herët. Qëndrimi i delegacionit shqiptar në takimin e Bukureshtit dhe sidomos pozicionimi i Enver Hoxhës në favor të Kinës në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë, me sa dukej kishte bërë për vete Mao Ce Dunin dhe suitën e lidershipit komunist të partisë së tij. Pikërisht në këtë atmosferë kryeministri Çu En Lai vizitoi dy herë radhazi Tiranën, për herë të parë në janar të vitit 1964. I rikthyer në vendin tonë në 28 mars 1965, krahu i djathtë i Mao Ce Dunit, do zgjidhte “kuletën” me ndihma e kredi qindra miliona dollarëshe. Megjithatë, Enver Hoxha që e shikonte kapërcimin e situatës ekonomike te mbështetja e supershtetit aziatik, nuk reshtte në kërkesat për mysafirin nga Pekini. Në takimet me Çu En Lain u konturuan për herë të parë marrëveshjet për investime në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, për ndërtimin e uzinës së ferro-kromit, ato të zgjerimit të sistemit të energjetikës, për parkun kombëtar të aviacionit luftarak etj. Çuja, siç i thoshte Enveri, ishte nga të vetmit liderë kinezë me kulturë evropiane, i cili pas studimeve në Japoni kishte kryer disa kualifikime në Francë dhe Britani.
Sihanuku
I njohur si Mbreti i Kamboxhias, Norodom Sihanuku u ftua të vizitonte Shqipërinë në kohën kur po dorëzonte monarkinë dhe kërkonte azil në Francë. Shqiptarët që patën rastin ta takojnë kujtojnë pamjen e një plaku babaxhan dhe sidomos hiret joshëse të gruas së pestë të tij me origjinë italiane. Pavarësisht se ishte në fundin e shkëlqimit, Sihanuku u prit me madhështinë e një burri të madh shteti dhe një miku të veçantë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Vizita e tij e kapërceu protokollin zyrtar dhe në vijim të saj ish-mbreti i Kamboxhias preferoi të dalë për gjueti në pyjet e Belshit. Etiketa prej komunisti e bënte Sihanukun të ndjehej si në shtëpinë e tij, pavarësisht biografisë së çuditshme dhe karrierës politike, ku spikaste sundimi si mbret i Kamboxhias në periudhën 1953-1970. Më herët kishte bërë dy herë me radhë kryeministrin, një herë presidentin dhe një herë tjetër kryetarin e shtetit në ekzil. Pas dorëzimit të fronit në vitin ‘70 jetoi për 30 vjet në Francë, për t’u kthyer në vitin 1991 në Kamboxhia. Rimori postin mbretëror në vitin 1993.
vijon nesër