E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension në Mitrovicë, sherr për ndërtimin e shtëpive

 

Mitrovica është mbë-rthyer nga trazirat sërish për shkak të ndërtimeve të shtëpive të shqiptarëve që jetojnë në këtë zonë. Mbi njëqind banorë serbë kanë protestuar duke goditur edhe me gurë në drejtim të personave që ndërtonin dhe policisë së EULEX-it, e cila kishte garantuar se punimet do të vazhdonin. Një polic dhe një gazetar u lënduan një ditë më parë nga protestat për ndërtimet në vendin e kujtuar Kroi i Vitakut. Punimet për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në këtë lagje, që u ndërprenë për shkak të protestave. Ndërsa, serbët po vazhdojnë punimet për ndërtimin e ndërtesave të tyre shumëkatëshe në këtë lagje, edhe pse nuk kanë leje ndërtimi. Autoritetet lokale në Mitrovicë thonë se me ndërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut, po rriten dhe interesat e disa grupeve ekstremiste serbe për të destabilizuar situatën. Serbët thonë se provokimet janë të ndërsjella, si nga shqiptarët, ashtu dhe nga serbët. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, pohon se të tilla grupe serbësh kanë interes destabilizimin e situatës. Siç citon “Evropa e Lirë”, “Kohë pas kohe është interes i grupeve të caktuara ekstreme që ta destabilizojnë situatën, t’i pengojnë proceset që kanë shkuar drejt normalizimit dhe ky është synimi i tyre”, ka thënë Rexhepi. Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta për të mos lejuar incidentet e tilla, pasi që, sipas tij, përgjegjësinë më të madhe në këtë pjesë të Kosovës e ka misioni i EULEX-it. Nga ana tjetër, zyrtarë të misionit EULEX nuk kanë dashur të flasin për sa i takon incidentit. Zëdhënësi i EULEX-it për rajonin e Mitrovicës, Hans Kristian Klasing, thotë se Policia e EULEX-it merret vetëm me aspektin e sigurisë. Një nga liderët e serbëve në veri, Milan Ivanoviç, konsideron se provokimet janë të njëjta si nga serbët, ashtu dhe nga shqiptarët. “Kishim një eskalim të dhunës dhe sulmeve të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, në fillim të këtij viti. Edhe këtë herë, provokimet janë pothuajse të njëjta”, tha Ivanoviç. Sipas tij, me fillimin e fazës së dytë të ndërtimit të shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut, po tentohet “ndryshimi i imazhit etnik”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›