“Emigranti”, kapen me kokainë te Fakulteti i Drejtësisë
Droga vinte nga jashtë për t’u shitur në Tiranë
Policia ka sekuestruar një sasi të madhe valute
Nuk e kanë pritur që policia t’u ngatërrohej nëpër këmbë pikërisht në momentin kur pritej të bëhej shkëmbimi i kokainës që sillej nga jashtë vendit. Artan Lluri, 40 vjeç dhe Edmond Stefani, 31 vjeç, të dy nga Tirana, janë arrestuar orët e vona të së mërkurës në kuadër të operacionit të koduar “Emigranti” nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës, pranë Policisë së Tiranës. Lajmi është konfirmuar dje nga të dhëna zyrtare të kësaj të fundit, sipas të cilave, Lluri dhe Stefani janë mbajtur nën vëzhgim për rreth dy muaj derisa më në fund në sajë të metodave speciale është finalizuar dhe operacioni për kapjen e tyre. Pas kontrollit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe 2 peshore elektronike, 3 pasaporta në emër të shtetasit Artan Lluri (dy prej të cilave shqiptare dhe një pasaportë bullgare), 155.000 euro, 10.800 dollarë, 92.000 lekësh, 1 makinë tip “Mercedes” në pronësi të Artan Llurit, si dhe 2 aparate celularë.
Hetimi
Qëndrimi prej disa kohësh jashtë vendit kishte bërë që të krijonte lidhjet e trafikut, ndërsa në Tiranë, një i njohuri i tij kishte marrë përsipër shpërndarjen e kokainës.
Artan Lluri, sipas hetimeve të deritanishme të policisë së kryeqytetit, ishte emigrant prej disa kohësh në një nga shtetet e Evropës, dhe prej andej dyshohet se e sillte mallin në vend. Më pas, një bashkëpunëtori i tij në Tiranë, 31-vjeçari Stefani, ishte personi që kishte marrë përsipër gjetjen e klientelës për të shitur dozat e kokainës.
Por, gjithçka ka rënë në veshët e agjentëve të Antidrogës në kryeqytet, të cilët falë disa të dhënave të marra në rrugë operative që dy muaj më parë, do të vinin në jetë planin për kapjen e të dyshuarve. Sipas të dhënave të tyre, përgjatë kësaj kohe Lluri dhe Stefani janë mbajtur nën vëzhgim, teksa lëviznin për të siguruar klientët e drogës në kryeqytet. Ndërkohë, falë hetimeve speciale, agjentët e Antidrogës kanë mundur të sigurojnë edhe vendin e shitjes së një sasie kokaine.
Arrestimi
Sipas të dhënave, bëhej fjalë pikërisht për një vend në afërsi të Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, dhe për këtë arsye punonjësit e policisë kanë qëndruar në gatishmëri të plotë. Dy personat e dyshuar kanë mbërritur ashtu dhe siç pritej në vend, ndërkohë që ndërhyrja e policisë ka qenë e menjëhershme, duke mos u lënë atyre asnjë mundësi shpëtimi. Pas kontrollit të bërë në automjetin me të cilin ata udhëtonin, janë gjendur dhe sekuestruar sasia prej 324.3 gramësh, lëndë e dyshuar kokainë.
Aktualisht, nga burime të policisë mësohet se specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës në bashkëpunim me prokurorinë, po punojnë me intensitet në drejtim të zbardhjes së plotë të këtij rrjeti trafiku, apo hetimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe të asete të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Sakaq, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Të arrestuar
Artan Lluri, 40 vjeç, emigrant
Edmond Stefani, 31 vjeç, të dy nga Tirana
Sekuestruar
324.3 gramë lëndë e dyshuar kokainë
2 peshore elektronike
3 pasaporta në emër të shtetasit Artan Lluri (dy prej të cilave shqiptare dhe një pasaportë bullgare)
155.000 euro
10.800 dollarë
92.000 lekësh
1 makinë tip “Mercedes” në pronësi të Artan Llurit
2 aparate celularë