Dy orë “luftë” me policinë, pranga të dehurit
Agim Elezi qëlloi me pistoletë ndaj policisë
Motivi, gjendja depresive e autorit
Ka mbajtur për rreth dy orë në tension me pistoletë policinë si edhe disa persona të tjerë që po kalonin në rrugë në atë kohë. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së martës në qytetin e Librazhdit, kur Agim Elezi, 45-vjeç, banor i këtij qyteti, ka kërcënuar policinë se do të qëllonte mbi ta. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 24:00 në lagjen “Shesë”, të këtij qyteti dhe sipas dëshmitarëve okularë thuhet se Elezi para ngjarjes ka qenë duke pirë në lokal me disa shokë, por pas kësaj ata kanë përfunduar duke u sharë. Kjo pastaj ka çuar që ai të humbë kontrollin dhe të kryejë veprime të pakontrollueshme. Një gjë e tillë është konfirmuar një ditë më parë nga burime të policisë lokale, sipas së cilës, në kohën kur efektivat e grupit të gatshëm po përpiqeshin të çarmatosnin Elezin, ky i fundit ka qëlluar në drejtim të policit C. Çupi. Për fat të mirë nga ky incident nuk pati asnjë të lënduar. Burimet bëjnë me dije se arrestimi i Elezit u bë pas dy orësh pikërisht rreth orës dy të mëngjesit të së mërkurës, duke vënë situatën nën kontroll përsëri. Pas arrestimit ai është shprehur se ka qenë në gjendje depresive dhe çdo gjë e ka bërë si rezultat i moskontrollimit të kësaj gjendjeje.
Megjithëse pas hetimeve të mëtejshme për këtë ngjarje, policia mendohet se Elezi kishte shumë borxhe në qytetin e Librazhdit dhe ky ka qenë edhe shkaku që mund të ketë kaluar në depresion. Aktualisht ai ndodhet në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit. Ndërkohë, policia po punon për të zbardhur rrethanat e plota që çuan 45-vjeçarin Agim Elezi të kryente këtë akt jonormal.