Prokuroria:Akoma vazhdojnë abuzimet me pensionet
Abuzimi me pensionet siç duket nuk ka të mbaruar. Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur dje edhe një rast tjetër abuziv lidhur me daljen në mënyrë të parakohshme të individëve, që nuk kanë mbushur moshën për pension. Ka qenë policia ajo që ka kërkuar hetimin e 51-vjeçarit Skënder Shkoza, banues i kryeqytetit. Sipas burimeve thuhet se mbi Shkozën rëndon akuza për veprën penale të “mashtrimit”. Të njëjtat burime bëjnë me dije se në materialet denoncuese ekzistojnë prova të qarta për të fajësuar 51-vjeçarin. Gjithashtu, mësojmë se ky person ka falsifikuar dokumentet për të përfituar më pas një pension të parakohshëm. Ndërkohë grupi hetimor i kësaj prokurorie është duke e shqyrtuar më tej çështjen dhe për të zbuluar raste të tjera nëse ka. Lidhur me abuzimet e pensioneve në Prokurorinë e Tiranës kanë arritur me dhjetëra raste, të cilat shfaqin një shqetësim të madh për shoqërinë. “Në shumë raste kanë qenë vetë qytetarët ata që kanë denoncuar shkeljet e ligjit”, - thane burimet. Rastet abuzive të pensioneve janë në përgjithësi me pensionet e minatorëve, si edhe të ato të pleqërisë.
Matilda Petriti
Hetim nga prokuroria për kartelat mjekësore
Prokuroria e Tiranës ka përqendruar hetimet në kartelat mjekësore të Matilda Petritit. Sipas burimeve, thuhet se vdekja e 17-vjeçares ka nevojë për një hetim të mëtejshëm dhe lidhur me çështjen në fjalë organi i prokurorisë ka përqendruar hetimet në kartelat mjekësore të vajzës. Të njëjtat burime të Prokurorisë së Tiranës bënë të ditur dje, se grupi hetimor u ka vënë në dispozicion ekspertëve mjeko- ligjore të gjithë praktikën mjekësore të ndjekur për këtë rast, si në klinikën e Pogradecit dhe Korçës, ashtu edhe në spitalin e Tiranës. Pas zhvillimit të këtyre proceduarve, hetuesit e çështjes pritet të dalin në një konkluzion për pozicionin e mjekëve në këtë çështje. 17-vjeçarja Matilda Petriti ka humbur jetën kohë më parë në spitalin “Nënë Tereza”, si pasojë e një hemorragjie pas operacionit në bajame.
F.Mënalla