Granata dhe të shtëna në shtëpinë e xhaxhait, 6 të plagosur
Policia ka arrestuar katër persona për ngjarjen
Motivi, dy familjet u grindën për çështje pronësie
Gjashtë të plagosur dhe njëkohësisht katër të arrestuar ka sjellë një grindje për motive pronësie në fshatin Salari të Tepelenës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës, kur hetimet paraprake të policisë kanë rezultuar se rreth orës 17:00, Bilbil dhe Vullnet Kërcanaj kanë filluar të gjuajnë me armë dhe të hedhin granata në banesën e xhaxhait të tyre, Izet Kërcanaj, fqinj me ta, pas një debati të ashpër me kushëririn e tyre dhe dhëndrin e shtëpisë. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga burime të policisë së Tepelenës, sipas të cilave, goditja me armë ka plagosur vajzën e shtëpisë, Bukuroshe Dulajn, e cila gjendej brenda banesës. Ndërkohë, sipas hetimeve, i vëllai i Bukuroshes, Proletar Kërcanaj dhe bashkëshorti i saj, Ardian Dulaj, kanë dalë në oborr, duke u goditur me thika me dy djemtë e xhaxhait tjetër. Po kështu, është gjuajtur me gurë dhe shkopinj nga dy vëllezërit edhe e zonja e shtëpisë, e moshuara Yzemek Kërcanaj, e cila ka ndërhyrë për të zbutur sherrin.
Ndërkohë, mësohet se granata e hedhur nga nipërit e Izet Kërcanajt ka shkatërruar të gjithë shtëpinë në fshatin Salari, rreth 80 km nga Gjirokastra, ndërsa janë dërguar me urgjencë drejt spitalit të qytetit 6 të plagosurit, ku më rëndë shfaqet gjendja e Bukuroshe Dulajt. Ndërkaq, zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Genti Soti, ka bërë me dije se rreth orës 23:50 të së martës, specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë arrestimin në flagrancë të Vullnet Kërcanajt, 36 vjeç, Bilbil Kërcanaj, 33 vjeç, i vëllai, Proletar Kërcanaj, 36 vjeç dhe të Admirim Dulaj, 37 vjeç, të gjithë nga fshati Salari, Tepelenë.
Sipas policisë, të plagosurit ndodhen në spitalin rajonal “Omer Nishani” Gjirokastër, për të marrë ndihmën mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa burime nga policia e Tepelenës thanë se janë rritur masat e sigurisë në spital, për të evituar një përplasje tjetër mes dy familjeve të fisit Kërcanaj.
Pas ngjarjes, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë gjahu çifte, ndërsa ka filluar hetimet se kush e ka nisur sherrin i pari. Po kështu, materialet për personat e arrestuar i kaluan Prokurorisë së Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “vrasjes në rrethana të cilësuara, e mbetur në tentativë”.
Të arrestuar
Vullnet Kërcanaj, 36 vjeç
Bilbil Kërcanaj, 33 vjeç, i vëllai
Proletar Kërcanaj, 36 vjeç
Admirim Dulaj, 37 vjeç, të gjithë nga fshati Salari, Tepelenë