E Shtunë, 31 Tetor 2026

shkurt:kronike

Elbasan

U kapën me dy mina me sahat, “burg me afat 20 ditë” për Binjakun e Hysenajn

Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Elbasan caktoi dje masën e sigurisë “burg me afat 20 ditë” për dy të arrestuarit e kapur me dy mina me sahat. Dy të pandehurit, Arben Binjaku e Nevik Hysenaj akuzohen se pak ditë më parë tentuan të vrasin një shtetas, ndaj dhe ndaj tyre rëndon akuza e “vrasjes për hakmarrje, e mbetur në tentativë”, si dhe e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Sipas akuzës, shtetasit Arben Binjaku, lindur e banues në Elbasan, si dhe Nevik Hysenaj, lindur e banues në Vlorë, u arrestuan në flagrancë nga policia, pasi të shtunën e kaluar iu gjetën dhe sekuestruan një sasi prej një kilogram lëndë plasëse “C-4”, si dhe 2 mina me telekomandë, të cilat do të instaloheshin në një banesë në qytetin e Elbasanit, me qëllim që ta hidhnin në erë për motive hakmarrjeje. Pas përfundimit të seancës gjyqësore të masës së arrestit, të dy shtetasit janë dërguar në dhomat e paraburgimit të burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, deri në përfundimin e ekspertizës nga ana e organeve kompetente. Përfaqësuesi i akuzës i kërkoi trupit gjykues caktimin e kësaj mase deri në përfundim të ekspertizës së lëndës plasëse të kapur, ndërsa avokatët mbrojtës kërkuan caktimin e një mase më të butë. Pasi kanë dëgjuar të dyja palët, togat e zeza lanë në fuqi kërkesën e prokurorit, duke i lënë kohë për të sjellë përfundimet e dala nga ekspertiza.

Ekspertizat e prokurorisë

“Braun ka çuar fëmijët në klinikë për kontroll”

Prokuroria e Tiranës i ka dorëzuar dje gjykatës një numër ekspertizash mjeko-ligjore, ku vërtetohet që David Braun ka abuzuar me fëmijët seksualisht. Ndërkohë që mbrojtja e Braun ka pretenduar se ky i fundit i ka shoqëruar fëmijët në klinikën ABC, në të cilën fëmijët i janë nënshtruar kontrollit. Seanca e djeshme gjyqësore, në ngarkim të David Braun është zhvilluar me debate të shumta. Prokurori i ka paraqitur trupit gjykues, të kryesuara nga ana e gjyqtarit Gerd Hoxha, disa ekspertiza, në të cilat vërtetohej që fëmijët janë dhunuar nga i pandehuri. Ndërkohë që përballë pretendimeve të akuzës, mbrojtja e Braun ka bërë me dije se i pandehuri jo vetëm që i ka shoqëruar vetë në klinikë, por fëmijët janë dhunuar seksualisht nga ana e kolegëve të tij, Dino Christodoulu dhe James Robin Arnold. Pretendimet e avokates mbrojtëse janë hedhur poshtë nga ana e prokurorit, pasi sipas tij, ekspertiza bën me dije se fëmijët janë dhunuar vetëm një javë përpara se të shkonin në klinikë, ndërsa në këtë kohë të dy të akuzuarit e tjerë, të cilët gjykohen më vete, nuk kanë qenë në vendin tonë. Por edhe pse akuza e ka shpjeguar këtë fakt, mbrojtja i ka bërë me dije gjykatës se në fashikullin gjyqësor ndodhej një ekspertizë, e cila ishte bërë në klinikën ABC, ku vetë Braun ka shoqëruar fëmijët dhe provohet e kundërta e pretendimeve të akuzës. Ndërsa kryesuesi i trupit gjykues i ka kërkuar të dije se në cilën pjesë të fashikullit gjyqësor ndodhej kjo ekspertizë për ta shqyrtuar atë, avokatja i ka bërë me dije që ta gjente vetë. Situata është ndezur edhe më shumë kur trupi gjykues i ka sqaruar mbrojtjes që duhet që këta të fundit të paraqisnin provat dhe jo t’i gjente gjykata se ku janë ato. Pas paraqitjes së këtyre provave, gjykata ka vendosur ta shtyjë seancën gjyqësore për administrimin e të tjera provave, që do të paraqiten nga ana e akuzës.

Vendimi

Tentativa e vrasjes, 10 vjet burg për Bardhyl Isufajn

Gjykata e Tiranës ka shpallur dje vendimin dhe dënoi me 10 vjet burg të pandehurin Bardhyl Isufaj, i akuzuar për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”. Isufaj akuzohet se në bashkëpunim i kanë zënë pritë një bashkëfshatari, të cilin kanë tentuar ta vrasin, por që nuk kanë mundur. Dje, gjyqtari Sokol Tona ka shpallur vendimin, duke dënuar me 10 vjet Bardhyl Isufajn për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”.

Kërkesa

Fatmir Kuçi i “Kompas” kërkon lirim me kusht

Një ndër të dënuarit e çështjes së bujshme “Kompas” i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për lirim me kusht. Kërkesa po shqyrtohet nga togat e zeza, të kryesuara nga gjyqtarja Shefkie Demiraj. Seanca e djeshme është shtyrë, pasi mungonte juristi i burgut 313-të, i cili do të paraqesë para gjykatës edhe karakteristikat e sjelljes për këtë të dënuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›