Nënkryetari i shkarkuar padit Komunitetin Mysliman
Rusheku, depozitoi dje në Gjykatën e Tiranës, padinë për shkarkimin e tij nga kryesia e KMSH- së
TIRANE- Nënkryetari i shkarkuar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Sajmir Rusheku, ka paditur në Gjykatën e Tiranës për shkelje të statutit kryesinë e institucionit fetar ku ai ka qenë funksionar deri javën e kaluar. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet dhe është konfirmuar edhe nga vetë Rusheku, nëpërmjet linjës telefonike me gazetën "Shekulli".
Sipas Rushekut, ai ka kërkuar nga gjykata hedhjen poshtë të vendimit të shkarkimit të tij, si bllokimin e ekzekutimit të këtij vendimi deri në momentin që gjykata të ketë përfunduar shqyrtimin e padisë së së tij.
Sipas Rushekut, në vendimin e shkarkimit të tij nga posti i nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, (KMSH), kryesia e institucionit ka shkelur statutin, duke mos i dhënë mundësinë atij të shprehet lidhur me motivacionin e shkarkimit të tij nga detyra. "Unë nuk jam njoftuar nga kryesia e KMSH-së për mbledhjen e saj dhe shkarkimi im është bërë pa më dhënë mundësinë për të shprehur unë mbrojtjen time". Kështu u shprej Rusheku disa ditë më parë pasi kryesia e KMSH-së kishte vendosur shkarkimin e numrit dy të KMSH-së.
Në të kundërt, Zyra e Shtypit e këtij organi reagoi një ditë më vonë duke pohuar se ata nuk kishin vepruar në kundërshtim me statutin, për shkak se Rusheku, ishte lajmëruar disa herë dhe se disa herë ishte njoftuar verbalisht dhe me mesazhe elektronike në telefon, duke i bërë të njohur mbledhjen e kryesisë. "Rusheku ka neglizhuar duke pretenduar se ka pasur arsye familjare, apo se ishte i sëmurë", pohoi zyra e shtypit e KMSH-së.
Përveç rrugës gjyqësore, Rusheku tha se ai ka ndjekur edhe procedurën administrative, ku ai pohon se ka dorëzuar edhe ankesën e tij. Sipas Rushekut, pavarësisht ankimimit të tij, Keshillit te Përgjithshëm që pritet të mbajë sot në Kavajë mbledhjen e tij të zakonshme në Medresën e Kavajës, nuk e ka futtur këtë çështje në Rendin e ditës.