E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varka e Tragjedisë

Varka me të cilën dyshohet se 19 kosovarët kanë tentuar të kalojnë lumin Tisa, në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, nuk mund të bartte më shumë se gjashtë veta.

Kështu kanë deklaruar peshkatarë hungarezë për mediet e këtij vendi, të cilët madje kanë sqaruar se ka raste kur ata kanë pasur edhe oferta nga trafikantët që të bëjnë bartjen e klandestinëve nga njëra anë e lumit në tjetrën.

Në këtë barkë mund të lundrojnë vetëm gjashtë persona. Është shumë e rrezikshme nëse në të hipin më shumë se gjashtë veta, thotë plaku Korponai Andras, për një televizion hungarez.

Sipas tij, nga njëra anë në tjetrën, me lopata, lumi mund të kalohet për 30 minuta, por nëse ajo ka motor, atëherë ky lundrim shkurtohet vetëm në disa minuta.

Për më tepër, në këtë zonë të Hungarisë, peshkatarët e vjetër tregojnë se kanë pasur dhe oferta të majme nga trafikantët nëse ata do të bënin bartjen e klandestinëve.

Më është thënë një herë se një burrë kosovar i ka kërkuar ndihmë një shokut tim që ta ndihmojë të kalojë kufirin me një varkë si kjo, por nuk kam dashur të marr pjesë në këtë, thotë Sarcsevity Veco, peshkatar hungarez.

Ndërkohë, dy policët hetues dhe prokurori ndërkombëtar i çështjes Tisa, janë kthyer të hënën nga Hungaria në Kosovë.

Ata kanë qëndruar atje vetëm një ditë të plotë, për të hetuar se çfarë në të vërtetë ka ndodhur në këtë rast, ku dyshohet se dy javë më parë, në atë lumë janë mbytur 16 kosovarë, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Hungari.

Kështu tre hetuesit, me në krye prokurorin e EULEX-it, Nocholas Hoten, kanë udhëtuar drejt Hungarisë të shtunën, kanë qëndruar atje të dielën tërë ditën dhe janë kthyer në Prishtinë të hënën.

Prokurori dhe dy policët janë kthyer të hënën nga Hungaria, pasi kanë marrë krejt ato që u janë dashur në lidhje me këtë rast, thotë Karin Limdal, zëdhënëse e EULEX-it.

Informacionet e tjera janë konfidenciale dhe ata nuk mund të bëjnë publike asgjë tash për tash, sepse hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, thotë Limdal për Express, duke sqaruar se nuk është me rëndësi qëndrimi i gjatë atje për të hetuar një rast.

Ata kanë marrë krejt ato që u janë dashur, informacionet dhe të gjitha. Më shumë nuk mund të them asgjë, thotë zyrtarja e EULEX-it.

Në fakt, në lidhje me këtë çështje, më shumë se vendorët, janë duke u marrë prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it.

Madje edhe nënshkrimi i fletë arresteve për katër personat e dyshuar si të përfshirë në trafikimin me qenie njerëzore, është bërë nga gjyqtari ndërkombëtar i procedurës paraprake, që vepron në kuadër të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

Linda Tolnai është zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë dhe Zbatimit të Ligjit në Hungari. Ajo shpjegon në mënyrë të përgjithësuar takimet që tre hetuesit nga Kosova kanë pasur me autoritetet e këtij shteti.

Prokurori i EULEX-it në Kosovë dhe dy asistentët e tij, zyrtarë të Policisë së Kosovës, kanë kërkuar informacione në Budapest në lidhje me rastin vdekjes së emigrantëve që kanë vdekur duke kaluar ilegalisht kufirin, thotë Tolnai për Express.

Në takim ndërmjet zyrtarëve hungarezë dhe kosovarë, është bërë rishikimi i informacioneve të cilat janë mbledhur deri më tash në lidhje me këtë çështje, shpjegon zyrtarja hungareze e Ministrisë së Drejtësisë dhe Zbatimit të Ligjit.

Në anën tjetër, familjarët vazhdojnë të presin me ankth lajmet që mund të mbërrijnë nga Hungaria apo Serbia.

Kursena se hala as na nuk dimë kurgjo. Ata janë shkue e hala nuk na kanë thirrë edhe ne jemi tu pritë. Jemi tu pritë gjinë se u konfirmu vdekja e çikës, thotë një pjesëtar i familjes Jaha për Express.

Kuvendi
Kuvendi i Kosovës nuk do të debatojë tragjedinë e Tisës, para zgjedhjeve të 15 nëntorit. Kështu ka vendosur të martën Kryesia e këtij institucioni. Ata kanë kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Brendshme, që deri të martën e javës tjetër, të dorëzohet një raport i detajuar për çështjen. Atë ditë vendoset për seancën plenare që të diskutohet kjo çështje, por jo para zgjedhjeve. Kjo çështje do të diskutohet patjetër, por mund të ndodhë që nuk e debatojmë gjatë fushatës. As ne nuk jemi që kjo çështje të debatohet gjatë fushatës për shkak të implikimeve që mund të ketë ky rast edhe në proceset e Kosovës drejt liberalizimit të vizave, është shprehur për media Naim Maloku, anëtar i Kryesisë së Kuvendit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›