E Shtunë, 31 Tetor 2026

I akuzuar, me imunitet

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë për heqjen e imunitetit të deputetit nga radhët e LDK-së, Agim Veliu. Kjo kërkesë është konsideruar e panevojshme dhe jokushtetuese.

Pas mbledhjes së mbajtur të martën, kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se Prokuroria nuk ka pasur nevojë të kërkojë heqjen e imunitetit të deputetit Veliu, pasi që, sipas tij, hetimet e Prokurorisë mund të bëhen pa u hequr imuniteti.

Ai tha se kjo gjë është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës, pikërisht sipas nenit 75 të saj.

Siç duket, Prokuroria nuk e ka lexuar Kushtetutën. Nuk ka pasur nevojë që të kërkojë një gjë të tillë. Sipas nenit 75 të Kushtetutës së Kosovës, Prokuroria mund të zhvillojë hetimet pa bërë një kërkesë të tillë në Kuvend, tha Krasniqi.

Ndërkohë, në një konferencë për gazetarë, e mbajtur nga deputeti dhe kandidati për kryetar të Podujevës, Agim Veliu, udhëheqësi i Grupit parlamentar të LDK-së, Lutfi Haziri dhe kolegu i tyre i partisë, Ismet Beqiri, kërkesën e Prokurorisë e kanë quajtur të motivuar politikisht.

Një kërkesë e tillë është me motive politike. Kjo pikërisht është bërë në kulmin e fushatës. Mirëpo, unë nuk do të zmbrapsem nga veprimet e mia politike dhe më 16 nëntor unë do të marr detyrën për kryetar të Podujevës, tha Agim Veliu.

Ndërsa Lutfi Haziri tha se Prokuroria nuk ka ngritur padi ndaj Veliut, por vetëm e ka ftuar atë në bisedë.

Sipas tij, çdo zyrtar i LDK-së është i gatshëm të japë përgjigje para ligjit për të gjitha dyshimet.

Sipas Veliut, padia ndaj tij është e ngritur në bazë të dokumentacionit dhe dëshmive të dorëzuara në prokurori nga Agjencia Kundër Korrupsionit, lidhur me një tender prej 150 mijë eurosh për renovimin e një shkolle të mesme të Podujevës, të kryer në vitin 2005, në kohën kur Veliu ishte ministër i Arsimit.

Me këtë rast ai akuzoi Agjencinë Antikorrupsion, e cila, sipas tij, është e ndikuar nga ndonjë parti politike dhe persona të caktuar.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Express...

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›