E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi Bares shtyhet për 3 muaj në pritje të letër-porosisë

BARE


TIRANË- Gjyqtarja Fatmira Hajdari e caktuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në krye të trupës gjyqësore që do të gjykojë të pandehurin Alfred Shkurti i njohur edhe me emrin Aldo Bare, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore ndaj kapo "bandës" së Lushnjës për tri muaj. Shkak për këtë afat të gjatë kohorë të shtyrjes, është bërë mos ekzekutimi nga Ministra e Drejtësisë të letër-porosisë së dërguar nga kjo gjykatë për njoftimin e të pandehurit të arrestuar në Turqi për vazhdimin e procesit ndaj tij.


Gjykatës e Krimeve të Rënda e përfaqësuar nga pesë gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës, të kryesuar nga Fatmira Hajdari dhe anëtarët Kreshnik Omari, Sokol Tona, Artan Broci dhe Altin Abdiu, u detyruan që edhe seancën e dytë gjyqësore ta shtyjnë, për shkak të mos ekzekutimit të letër-porosisë.


Në sallën e gjyqit ndodheshin të pranishëm prokurori i çështjes Gentian Trenova dhe avokati i zgjedhur nga vetë Aldo Bare në proceset e tjera gjyqësore Vladimir Meçe. Por, edhe pse të pranishëm në sallën e gjyqit, gjykata nuk vazhdoi seancën gjyqësore duke iu drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, ku i kërkuan të marrë masa që letër-porosia drejt Turqisë të niset sa më shpejt.


Për këtë shkak, gjykata u shpreh se seanca gjyqësore do të shtyhet për tre muaj, për të vazhduar me datë 10 janar 2010, kohë kjo, sipas tyre, e mjaftueshme për të shkuar dhe kthyer përgjigja e letër-porosisë.


Sipas kësaj letër-porosie, gjykata kërkon ta vëjë në dijeni të pandehurin Bare për gjyqin që do vazhdojë në Tiranë, dhe çfarë të drejta i jep mbrojtësit të tij ligjor avokat Meçes. Sipas prokurorisë, i pandehuri Bare akuzohet për veprat penale të "krijimit te organizatës kriminale dhe krimet e kryera në emër të kësaj organizate"; "vrasjen me paramendim" të shtetasve Genci Kashari, Xhevat Demiri, Nimet Zenelit, Masar Aliu; "vrasjes me paramendim" të mbetur në tentativë ndaj shtetasve Artur Daja, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu; "mbajtjes pa leje të armëve luftarake" dhe "shkatërrimit të pronës me zjarr" të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu.


CËRRIKU
Cani i "bandës" së Cërrikut shfajëson veten nga akuzat


TIRANË- Para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, në seancën e djeshme gjyqësore kanë vazhduar deklarimet e tij të lira dhe i është përgjigjur pyetjeve të prokurorit i pandehuri i "masakrës së Cërrikut" Skënder Cani.


Gjatë fjalës së tij para gjykatës, i pandehuri ka mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria, duke shpallur veten të pafajshëm dhe mos pjesëmarrës në kryerjen e vrasjes së 6 gardistëve dhe 14 të tjerëve të plagosur 23 marsin e vitit 1997 në qytetin e Cërrikut.


"Nuk kam qenë unë pjesëmarrës në atë pritë që akuzon prokuroria. Unë kam qenë në banesën time dhe vetëm krismat e armëve dhe granatave i kam dëgjuar. Diku nga pasditja kam marrë vesh se çfarë ka ndodhur aty. Unë jam i pafajshëm dhe më keni marrë kot e më keni fut në burg"-tha Cani i irrituar para gjykatës, duke i kërkuar shpjegime prokurorit për arrestimin e tij.


Ndërkohë, përfaqësuesi i akuzës i renditi para togave të zeza provat dhe dëshminë e të penduarit të kësaj "bande" Bujar Buzanin, i cili identifikon në mesin e atyre që sulmuan kolonën e gardës dhe të policisë ishte edhe i pandehuri Skënder Cani.


Sipas prokurorisë, Cani bashkë me të pandehurit e tjerë Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi, kanë marr pjesë në sulmin e organizuar nga Komiteti i Shpëtimit të asaj kohe ndaj kolonës së policisë dhe gardës që ishin nisur mëngjesin e 23 marsit 1997 nga Elbasani për në Cërrik për të vendosur qetësi pas djegies së Komisariatit të Policisë. Në hyrje të qytetit ata janë përballur me granata dhe zjarr të automatikëve, duke mbetur të vrarë 6 gardistë dhe 14 të tjerë të plagosur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›