E Hënë, 2 Nëntor 2026

Emigranti zhduket në Tiranë 4 ditë pas kthimit nga Gjermania



TIRANE - Një 35-vjeçar, i cili prej pak kohësh ishte kthyer nga Gjermania ku jetonte si emigrant, prej katër ditësh rezulton i zhdukur sipas familjarëve. Anëtarët e familjes Sulejmani, banues në kryeqytet, pasi kanë pritur për 3 ditë që emigranti Artan Sulejmani, të kthehej në shtëpi, kanë vendosur që fillimisht të kërkojë ndihmën e qytetarëve nëpërmjet një televizioni, e më pas kanë bërë një denoncim edhe në Policinë e Tiranës. Sipas burimeve nga policia mësohet se babai i dy fëmijëve, i cili jetonte me prindërit dhe bashkëshorten, prej mëngjesit të së premtes, nuk është parë më ndërsa askush nga familja apo të afërmit nuk ka arritur të kontaktojë me të. Bazuar në denoncimin që familjarët e Artan Sulejmanit kanë bërë në polici, mësohet se në orën 09:00 të mëngjesit të katër ditëve më parë, ai ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Pasi i kanë humbur shpresat për kthimin e tij, familjarët kanë vendosur që të kërkojnë ndihmë nga organet e rendit dhe nga qytetarët e Tiranës, duke dhënë përshkrimin e 35-vjeçarit, si dhe duke publikuar një fotografi të tij në televizion. Paraprakisht policia dyshon, të paktën nga të dhënat e të afërmve të tij, se ai mund të ketë probleme me kujtesën, të shkaktuara nga depresioni që po kalonte kohët e fundit. Mësohet se të afërmit e tij kanë deklaruar për oficerët e Policisë së Tiranës, se Artan Sulejmani kishte jetuar prej disa vitesh si emigrant ekonomik në Gjermani dhe kur është kthyer ka shfaqur shenja të theksuara depresioni. Madje për këtë arsye ai aktualisht mjekohej dhe konsumonte edhe ilaçe kundër depresionit, çka mund t’i kenë ndikuar atij edhe në kujtesë. Përveç kësaj, sipas familjarëve ai nuk kishte asnjë arsye tjetër që të largohej nga shtëpia dhe për më tepër të mos kthehej për kaq ditë, pasi nuk kishte asnjë konflikt apo problem tjetër me asnjë prej të afërmve, apo miqve. Për të ndihmuar në gjetjen e tij, të afërmit veç policisë, kanë preferuar të kërkojnë edhe ndihmën e personave që mund ta kenë parë nëpër rrugët e Tiranës. Familjarët e Sulejmanit janë shprehur se ditën kur është larguar nga shtëpia kishte veshur pantallona xhins me ngjyrë bojqiell të hapur, këpucë ngjyrë bezhë dhe një xhaketë treçerekëshe të zezë. Artan Sulejmani është një metër e 80 centimetra i gjatë dhe me flokë të zeza të prera shkurt. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›