Sampdoria e Pacini ndalin Romën, Inter komandon Serinë A
Leonard Karaj
Sampdoria mund Romën në "Olimpiko" duke i bërë një nder të madh Interit, Juventus shpreson ende te Champions, Lacio del nga zona e ftohtë.
Ka ndodhur çudia e radhës, Roma ndalet në momentin e saj më të mirë. Në skenë del Sampdoria e Del Nerit me një Xhianpiero Pacini në formë të shkëlqyer. Dy gola të sulmuesit shfuqizuan golin e Totin shënuar në pjesën e parë, por ajo që është më domethënëse qëndron në fakti se tashmë Interi ndodhet në krye të Kampionatit italian me dy pikë më shumë se Roma. Me këtë rezultat vetëm zikaltërit mund ta humbin titullin kampion përderisa verdhekuqtë e Ranierit u nënshtruan tre javë para funidt të Serisë A.
Juventus mban ende gjallë shpresat për një vend në zonën “Champions” për vitin e ardhshëm, kjo falë fitores 3-0 ndaj Barit në Torino. Bardhezinjtë rikthehen tek trepikëshi falë edhe portierit Bufon, i cili në 45 minutat e para të takimit u bë shpëtimtari i portës juventine, dhe mbi të gjitha sulmuesit të rikthyer Viçenco Iakuinta që shënoi dy herë ndaj Barit në minutat 53 dhe 87, ndërsa tripleta bardhezi plotësohet me penalltinë e shndërruar në gol nga kapiteni Del Piero në minutën e 69. Pas kësaj fitoreje Juventus, duke përfituar edhe nga barazimi pa gola i Napolit në “San Paolo” ndaj Kaljarit, ngjitet në vendin e 6 në kuotën e 54 pikëve, 4 më pak se Palermo e vendit të katërt. Ndërkohë që java e 35 e Serisë A dha verdiktin e saj të parë. Kështu skuadra e Livornos, megjithëse fitoi 3-1 ndaj Katanias, bie matematikisht në Serinë B, kjo falë fitores 2-1 të Bolonjës ndaj Parmës. Në ndeshjet e tjera, Fiorentina, jashtë çdo objektivi u mund brenda në fushën e saj 0-2 prej Kievos. Lacio sigloi një fitore mjaft të rëndësishme për qëndrimin në Serinë A, ndaj Xhenoas në transfertë 2-1 dhe Udineze shkatërroi 4-1 Sienën.