Fushaj, e ka sërish me gjykimin
Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj vazhdon të jetë i pakënaqur me gjykimin e arbitrave. Duket si një refren nga njëshi i kuqebluve, i cili nuk nguron tu hedhë fajin arbitrave gjithnjë kur skuadra e tij nuk merr tri pikë. “Nuk e kuptoj çfarë po ndodh me këta gjyqtarë. Në Krujë pak ditë më parë na u dha kundër një penallti që nuk ishte, nuk na u dha një në favorin tonë, na u mohua një gol i rregullt dhe gjyqtari na mbyti me kartona, vend e pa vend vetëm për të na ndëshkuar. Ndërsa sot (dje) ndaj Flamurtarit përsëritet e njëjta skenë. Gjyqtari jep dy kartona të kuq për futbollistët tanë. Njëkohësisht nuk na jepen dy 11-metërsha të pastër, një të Belishës dhe një të Haxhibuliç. Nuk e di çfarë po ndodh kështu dhe çfarë kanë me Vllazninë. Për këtë arsye, nesër (sot) do të jem vetë personalisht në Federatë për të kërkuar ballafaqim dhe llogari drejtuesve të saj”, ka pohuar presidenti i Vllaznisë Valter Fushaj pas takimit të djeshëm.