Informatori SMS trafikantëve të drogës
Etleva Delia
Pesë personat që u arrestuan tri ditë më parë me 100 kilogramë kanabis sativa, janë informuar më shumë se një herë me sms në celularë për postblloqet e ngritura nga policia e Tiranës me qëllim kapjen e drogës. Për këtë shkak, dyshohet se personat që po transportonin lëndën narkotike, ndryshuan “trajektoren” dhe vendin e shkëmbimit të drogës pasi ishin informuar për “pritën” e policisë. Me të marrë informacionin për lëvizjen e drogës policia filloi hetimin operativ sipas të cilit, shkëmbimi i ngarkesës do të bëhej në Vorë. Aty u vendos një skuadër policie me qëllim ndalimin e trafikantëve, por këta të fundit ishin informuar dhe ndryshuan strategji në momentet e fundit duke vendosur të shkëmbejnë drogën në Krujë ku edhe u arrestuan pasi policia dërgoi trupa shtesë. E gjitha kjo ka ndodhur pasi personat që po trafikonin drogën, janë informuar më shumë se një herë në celularë, për pozicionimin e policisë atë ditë. Dyshimet janë se ky person i përket radhëve të policisë, megjithatë asgjë nuk është konfirmuar mbi identitetin e informatorit të trafikantëve. Sipas hetimeve, informatori ka arritur t’i shpëtojë nga arrestimi trafikantët edhe në tri raste të tjera të lëvizjes së drogës. Pas dyshimeve se ky person ndodhet në radhët e policisë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka filluar menjëherë hetimet.
INFORMIMI
Në grupin e trafikut të drogës, që u godit gjatë operacionit “Vora” dyshohet të jetë i implikuar edhe një punonjës policie, i Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Aktualisht ai është efektiv i policisë së Fushë-Krujës, por emri i tij ende nuk është zbuluar. Implikimi i tij në këtë grup trafikantësh, shpjegon faktin se tri herë radhazi pesë personat e akuzuar për 100 kilogramë drogë t’i shpëtonin prangave, pasi në momentin e fundit, ndryshonin vendin nga do të kalonin ngarkesën me hashash. Sipas burimeve nga policia mësohet se herën e fundit operacioni i Antidrogës dhe Operacioneve Speciale të Tiranës, ishte planifikuar të realizohej ditën e mërkurë në Vorë, madje për këtë arsye aksioni ishte koduar “Vora”. Pasi janë nisur me “mision” përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, oficerët janë njoftuar rrugës se shkëmbimi i mallit ishte shtyrë për një moment tjetër. Në këtë mënyrë janë detyruar të presin lëvizjet e radhës për pesë trafikantët, të cilët kishin komunikim të vazhdueshëm në telefon dhe përgjoheshin nga ana e policisë. Probabiliteti i riksut për të dështuar operacioni sa vinte dhe shtohej, aq sa oficerët e policisë janë detyruar të verifikojnë përgjimet që po kryheshin duke zbuluar një person të gjashtë që i informonte për aksionin që ata po kryenin. Nga ky verifikim i përgjimeve dhe i numrave të telefonit është identifikuar numri privat i një punonjësi policie. Sipas burimeve është zbardhur një bisede e tillë mes tij dhe trafikantëve, “A i morët lekët e mallit?”, “Kini kujdes se ka shumë lëvizje policie...” dhe shprehje të tjera që disa herë i kanë shpëtuar ata nga prangat.
operacioni
TE ARRESTUAR
1. Gëzim Pirra,28 vjeç, nga Durrësi, i dënuar më parë për “tentativë vrasje”,
2. Leonard Zhana,31 vjeç, nga Durrësi
3. Shkëlqim Kuqi,34 vjeç, nga Kruja
4. Kujtim Lloti,40 vjeç, nga Kruja
5. Kujtim Kuqi,37 vjeç, nga Kruja
SEKUESTRUAR
100 kilograme kanabis sativa
2 automjete, fuoristradë “Nissan”, më targë LA 9344 A, fuoristradë “Volsvagen”, me targë LA 9305 A
15 celularë