Emigrantja shqiptare, shantazh pasanikëve pas fotove të seksit
Itali
Policia italiane publikon historinë e Mirela çobos dhe bashkëpunëtorit të saj
Një emigrante shqiptare ka përfunduar në prangat e policisë italiane, pasi u bënte shantazh meshkujve për foto, teksa kryente marrëdhënie seksuale me ta. Mirela çobo është zbuluar bashkë me bashkëpunëtorin e saj kroat. Bëhet fjalë për një histori triller të tyre, me persona të ndryshëm në Itali. Shqiptarja i joshte, shkonte në krevat me ta dhe më pas, me ndihmën e bashkëpunëtorit të saj 70-vjeçar, u bënte foto. Historia nuk përfundonte këtu. Pas seksit dhe realizimit të fotove, fillonte shantazhi ndaj tyre, duke i kërcënuar se do publikonin fotot. Grabitjet me “llamba të kuqe” bëheshin zakonisht ndaj njerëzve të pasur që ishin në kërkim të aventurave. Ishte pikërisht kjo “puna”, që çoi në pranga çiftin. Ndërkaq, pas arrestimit, policia ka bërë kontrolle në dy apartamente, në Arquata të Torinos. Sipas policisë, një prej viktimave ka bërë denoncimin dhe më pas policia ka zhvilluar aksionin për të ndaluar dy të dyshuarit për shantazh. I fundit që kishte rënë pre e mashtrimit ishte Antonio, një njeri i njohur në zonën e tij, që prej viteve ‘70. Nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar është njohur me Mirelën, 38-vjeçaren nga Shqipëria, emigrante e rregullt në Itali, ku jetonte prej vitesh. Njohja e tyre ka ndodhur në një rrugë të Kierit, kur Antonio ishte duke mbaruar disa punë. Një bashkëbisedim i shkurtër dhe më pas ata kanë shkëmbyer numrat e telefonit. Pas disa ditësh të dy kishin shkuar në një hotel dhe kishin kaluar disa orë. Në datën 15 janar, Antonio shkoi në shtëpinë e Mirelës. Pak më vonë, në një moment, ka hyrë në apartament një burrë rreth 70 vjeç me një aparat në dorë dhe pasi ka realizuar disa shkrepje kur ata ishin në një skenë të nxehtë, është larguar me të shpejtë. Pas tij ka dalë edhe gruaja, e cila më pas ishte kthyer. Në këtë moment, ajo i shprehet viktimës, se e njihte, i kishte numrin e targës, i dinte emrin dhe nëse donte që fotot të mos përfundonin në dorën e gruas së tij, duhej të kontaktonte me të. Pas dy ditësh e kishte takuar sërish dhe i kishte kërkuar 20 mijë euro, me qëllim që fotot të mos stampoheshin. I ndodhur në këtë gjendje, “viktima” shkon në polici dhe rrëfen historinë e tij. Pasi kishte bërë denoncimin, karabinierët organizuan planin. Skuadra e hetimit i kërkon Antonios që të linte një takim me vajzën dhe më pas do të ndërhynin ata. E kështu ndodhi dy ditë më parë. Ai la një vendtakimi me 38-vjeçaren, gjoja për t’i dhënë paratë e në këtë moment kanë ndërhyrë dhe e kanë arrestuar. Nuk kanë mjaftuar shumë pyetje dhe ajo tregoi bashkëpunëtorin e saj. Pas kësaj, policia ka ndaluar dhe 70-vjeçarin Mario Sabatti, emigrant nga Kroacia. Pas shoqërimit të dy të dyshuarve për shantazh, karabinierët ushtruan kontrolle në dy apartamente që i përdorte “çifti”. Në ambientet e tyre janë gjetur disa aparate fotografike dhe një numër i madh fotosh, të personave të ndryshëm, që sipas policisë do të ishin viktimat e radhës së dy të arrestuarve. Policia tha se tani po pret që persona të tjerë të njohur të vijnë dhe të bëjnë denoncimet e tyre me qëllim që vepra penale ndaj të ndaluarve të rëndohet dhe më tepër.
#